Ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi, është dënuar me katër vjet e tetë muaj burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Gashi është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore e Prishtinës në rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq, në mars të vitit 2018. Gashit i është caktuar edhe dënimi plotësues.
Por nga akuzat në këtë rast për keqpërdorim të detyrës zyrtare u liruan ish-drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, Valon Krasniqi, dhe Rrahman Sylejmani, ish-drejtor i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare.
Përderisa mbrojtja e Gashit ka paralajmëruar se do të ankohet rreth vendimit në Apel, avokati i Sylejmanit tha se drejtësia ka triumfuar.
Prokuroria Speciale e kishte akuzuar Driton Gashin, se pa siguruar asnjë provë se paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, kishte rekomanduar revokimin e lejeve të qëndrimit, me të njëjtin arsyetim ishin dëbuar nga Kosova gjashtë shtetas turq.
Ndërkohë, ishte raportuar se vetëm një ditë para se të dëboheshin, pati takim mes zyrtarëve të Policisë, Departamentit për Migrim dhe dy zyrtarëve të AKI-së.
Skandali i dëbimit të Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina për në Turqi, shtet ky që i akuzon për lidhje me Fetullah Gylenin, kishte nxitur reagime ndërkombëtare, për çka Kosova u kritikua për shkelje të të drejtave të njeriut. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: