Ndërhyrje në ndërmarrje publike dhe pengim të qasjes së opozitarëve në objektet e ndërmarrjeve, janë akuzat që Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë, po ia bën pushtetit aktual në kryeqytet.
Vetëvendosja ka akuzuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, për shpërfillje të vendimit të MAPL-së, që ka shpallur të pavlefshëm shkarkimin e Fehmi Kupinës, nga posti i kryesuesit të Kuvendit.
Veç kësaj, Gëzim Sveçla, kryetar i Grupit të asamblistëve të Vetëvendosjes, tha se po ashtu ata kanë penguar edhe qasjen e tyre në ndërmarrjet publike.
“Kryetari Rama është duke sfiduar ligjin me këto vendime duke zgjedhur jashtëligjshëm. Ne i kemi vizituar disa nga ndërmarrjet. Në trafikun urban kam qenë unë, ku fillimisht na është refuzuar hyrja, e pastaj nuk na ka pritur askush. Problematike ka qenë në Ndërmarrjen Publike Banesore ku fizikisht jemi penguar të hyjmë atje, gjatë ditës së djeshme”, tha Sveçla.
Pos akuzave për Ramën, opozitarët e Vetëvendosjes akuzuan edhe PDK-në, për keqmenaxhim dhe zaptim të ndërmarrjeve publike në Prishtinë.
“Nuhi Halimi, kryesues i Bordit të NPB-së, kandidat për asamble i PDK-së, dje bashkë me anëtarët e PSD-së të instaluar nga Dardan Molliqaj në NPB, na kanë ndaluar me forcë hyrjen në ndërtesë. Policia ka rënë në lajthitje nga Komuna e Prishtinës, ata asistuan në zaptimin e ndërmarrjes. PDK-ja nuk di ndryshe, ose janë hajna ose bandita, ose dyja këto bashkë”, tha asambleisti i LV-së në Prishtinë, Arianit Beqiri.
Asambleja e Prishtinës, që nga mbledhja e 8 qershorit, është kthyer në “luftë” mes pushtetit dhe opozitës. Fillimisht opozita mori shumicën dhe shkarkoi aksionarët e ndërmarrjeve publike. Por, më pas, pushteti riktheu shumicën dhe anuloi vendimin e opozitës. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: