Tensionet e herëpashershme në veri dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë qenë temat kryesore që u përdorën për prodhim të keqinformimit në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2022 dhe gjashtëmujorin e parë të këtij viti.
Kështu del nga raporti “Prapa Ekranit” të realizuar nga organizata joqeveritare “Hibrid Info”.
“Ngjashëm si në periudhën e kaluar gjashtëmujore, edhe në këtë periudhë, ngjarjet që lidhen me veriun e Kosovës kanë qenë temat kryesore nga të cilat janë krijuar dhe shpërndarë informata nga media të ndryshme. Nëse veriut i shtohet edhe tema mes Kosovës dhe Serbisë me katër për qind, atëherë këto janë temat më të publikuara gjatë këtyre gjashtë muajve”, tha Shkelzen Osmani nga OJQ “Hibrid Info”.
Shtrembërimi i realitetit politik, që ka të bëjë me marrëdhëniet Kosovë – Serbi, ka qenë i shtrirë në disa tema.
“Publikimet shtrembëruese me tematikë politike, të shpërndara nga mediat në gjuhën shqipe dhe serbe, i kanë trajtuar më së shumti marrëdhëniet Kosovë- Serbi, veriun e Kosovës, komunat me shumicë serbe në Kosovë, pretendimet e pabaza të mediave serbe”, tha Osmani.
Temat nga të cilat janë prodhuar më së shumti lajme keqinformuese në kategorinë e dezinformatës, në gjashtë muajt e parë të këtij viti, janë ato sociale, të kronikës së zezë e sigurisë.
Sipas raportit, edhe rrjetet sociale, në krye me Facebookun, po luajnë një rol të madh në keqinformimin e audiencës. Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte personaliteti më i përfolur nga mediat në gjuhën shqipe e ato serbe. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: