Diant Ramaj është i vendosur të largohet nga Borussia Dortmundi gjatë kësaj vere, pasi synon të gjejë një skuadër ku do ta ketë rolin e portierit të parë.
Sipas raportimit të Bild, portieri 24-vjeçar është rikthyer te Dortmundi pas një huazimi të suksesshëm te Heidenheimi, ku zhvilloi 31 nga 34 ndeshjet e mundshme në Bundesliga gjatë sezonit 2025/26. Megjithatë, ai nuk beson se mund ta fitojë vendin e titullarit te verdhezinjtë.
Raporti shton se negociatat për largimin e tij kanë nisur, por deri më tani nuk ka oferta konkrete në tavolinë.
Borussia Dortmundi është e gatshme ta lejojë largimin e Ramajt, pasi Gregor Kobel mbetet zgjedhja e padiskutueshme në portë. Ndërkohë, Alexander Meyer dhe Patrick Drewes pritet të jenë alternativat rezervë për sezonin e ardhshëm.
Ramaj iu bashkua Dortmundit në shkurt të vitit 2025 për pesë milionë euro, me shpresën se një ditë do ta zëvendësonte Kobelin si portieri kryesor i skuadrës. Megjithatë, pavarësisht paraqitjeve të mira te Copenhageni dhe Heidenheimi, ai e konsideron pothuajse të pamundur ta fitojë këtë rol.
Portieri ka kontratë me Borussia Dortmundin deri në verën e vitit 2029, ndërsa klubi gjerman pritet të kërkojë një dëmshpërblim për kartonin e tij. Sipas Transfermarkt, vlera aktuale e Ramajt në treg vlerësohet rreth shtatë milionë euro.





