“Flamingot” shfaqen në relacionet Kosovë-Shqipëri, Rama e kurseu Kurtin, por Tirana ia ekspozon zyrtarët që po përzihen në protestë

I përballur me zemërimin e protestuesve në Tiranë që ia kërkojnë dorëheqjen, kryeministri i Shqipërisë po sheh gjithnjë e më shumë zyrtarë të LVV-së, partisë që qeveris në Kosovë, duke mbështetur dhe madje duke marrë pjesë në atë turmë. Megjithëse Edi Rama e kishte shfajësuar homologun e tij në Prishtinë se mund të ishte i përfshirë në “Revolucionin e Flamingove”, Albin Kurti asnjëherë nuk i ka përgënjeshtruar qartë këto pretendime. Dje, zyrtarë të VLEN-it, të lidhur me LVV-në, u ndaluan në Qafë Thanë, ndërsa deputeti socialist Taulant Balla i ekspozoi zyrtarët e partisë së Kurtit që morën pjesë në protestë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk kishte mundur të mos komentonte pas një debati të nxitur në qershor nga pjesëmarrja e disa shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestat kundër qeverisë së tij në Tiranë.

Ai kishte shkruar në një postim në Facebook më 21 qershor se nuk e konsideronte kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, përgjegjës për veprimet e disa “sallahanave të Vetëvendosjes” që thoshte se ishin përfshirë në atë që ai e quan “çorbë dreqërish”.

Rama ka kritikuar ashpër atë që e ka quajtur paraqitje të shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut si “diasporë” në protestat në Tiranë. Në fund të atij postimi kërkonte që qëndrimi i disa protestuesve të mos lidhej me emrin e kryeministrit në detyrë të Kosovës.

“Dhe mos të spekullojë askush duke e lidhur këtë shënim me emrin e kryeministrit të Kosovës, sepse kurrësesi nuk mund ta bëj e as ta nënkuptoj në asnjë rrethanë, përgjegjës, për asnjë prej sallahanave të Vetëvendosjes që janë përfshirë në këtë çorbë dreqërish. Nuk e them këtë hiçasfare për një larje protokollare goje, por sepse e di mirë që çdo çadër e gjerë politike mban edhe sallahanat e vet dhe do të fyeja inteligjencën e Albinit po të mendoja se ai gjykon si ata. Kështu që lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme”, shkruante ai.

Vetë Kurti, duke mohuar disa pretendime se partia e tij do të organizonte protesta kundër një projekti të gazit që po ia kërkon SHBA-ja, pati theksuar se LVV-ja i ka bërë “protestat më të fuqishme”.

“Kam parë që kanë qarkulluar disa lajme të rrejshme për atë se Lëvizja Vetëvendosje planifikon të bëjë protesta. Tash natyrisht në këtë shekull, protestat më të fuqishme i ka bërë Lëvizja Vetëvendosje dhe ndoshta kur njerëzit e mendojnë protestën, e mendojnë Lëvizjen Vetëvendosje. Mirëpo kjo nuk flet asgjë për neve. Kjo flet për ata”, kishte deklaruar ai për gazetarët më 16 qershor.

Megjithatë, ish-deputetë, asambleistë dhe zyrtarë të tjerë të LVV-së, partisë që qeveris në Kosovë, i kanë mbështetur në rrjetet sociale dhe disa madje kanë marrë pjesë edhe fizikisht në protestat në Tiranë.

Mbrëmë, deputeti i LVV-së në Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku u ankua se ai dhe disa zyrtarë të VLEN-it – formacionit të shqiptarëve në qeverinë Shkup që mbështeten nga Kurti – u përballën me “një situatë të pashpjegueshme në hyrje të Republikës së Shqipërisë”. Tha se u lanë të prisnin mbi një orë në kufi “pa asnjë sqarim”. Aludonte se kjo kishte lidhje me mbështetjen e tij për protestat në Tiranë.

“Nëse arsyeja lidhet me faktin se kam mbështetur publikisht protestat e fundit në Shqipëri, atëherë kjo do të ishte thellësisht shqetësuese. Ndëshkimi i qytetarëve për shprehjen e mendimit apo për mbështetjen paqësore të protestave nuk është në përputhje me standardet e një shteti demokratik dhe me liritë themelore të garantuara në çdo shoqëri demokratike. Nuk mund ta kuptoj këtë logjikë kur dihet që disa eurodeputetë kanë marrë pjesë fizikisht në protestat aktuale në Tiranë”, shkroi ai në një postim në Facebook.

Qoku, që është edhe këshilltar i Kurtit, e akuzoi qeverinë e Shqipërisë se po vihet “në funksion të autokracisë e të përçarjes së shqiptarëve”.

Arbër Zaimi, një tjetër zyrtar i LVV-së, e shpërndau postimin e bashkëpartiakut të tij dhe kërkoi që institucionet e Shqipërisë “të kërkojnë falje”.

“Ndalimi i hyrjes në Shqipëri të disa deputetëve dhe zyrtarëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, me justifikimin pse këta kanë përkrahur online protestat në Tiranë, është një veprim i çoroditur dhe për të ardhur keq. Shpresoj që këtë vendim ta ketë marrë ndonjë zyrtar servil e i papjekur, dhe uroj që institucionet e Shqipërisë të kërkojnë falje. Shqipëria simbas ligjeve të saj është demokraci, e preferencat politike të çdo njeriu nuk janë arsye për ta dënuar atë”, shkroi ai.

Postimin e Qokut e shpërndanë edhe zyrtarë të tjerë të LVV-së, përfshirë Elvis Hoxhën, i cili ishte nga ata që shkoi fizikisht në Tiranë për të protestuar.

LVV-ja publikisht nuk është distancuar nga pretendimet se po i mbështet protestat kundër qeverisë shqiptare.

Enver Dugolli, ish-deputet në Kuvendin e Kosovës nga kjo parti, pati thënë se LVV “nuk ka të bëjë asgjë” me protestat. “Thjesht, ne, disa aktivistë apo disa njerëz, eksponentë, solidarizohemi me kërkesat e drejta të qytetarëve, shqetësimet e tyre të drejta dhe me kaq mbaron”, thoshte ai për KosovaPress më 22 qershor.

Me raportet asnjëherë aq të mira Kurti-Rama, disa kanë të drejtë të dyshojnë se kryeministri në detyrë i Kosovës vërtet mund të i përfshirë në këtë “çorbë”.

Kur Rama tha “lëreni Albinin jashtë kësaj çorbe të neveritshme”, një deputet i Partisë Socialiste të Shqipërisë nuk e ndante të njëjtin mendim me shefin e tij të partisë.

Ulsi Manja kishte thënë “ishalla s’ka” lidhje Kurti me këtë, por kishte pyetur se pse ai nuk po distancohej.

“Dakord Kryeminister dakord, me ty jam, po neqoftese Albin Kurti nuk paska lidhje me kete çorbe qensh dhe ishalla s’ka, pse nuk distancohet qeveria e tij nga ky turp me gjoja “diaspore”?! Gjithesesi une mendoj se nuk ka hajvanllek me te madh se sa te vish nga Kosova per te rrezuar qeverine ne Tirane. Jo vetem se nuk e rrezon dot, po i jep nje dore te madhe armiqve te Kosoves qe do thone ja, shikojini kush jane, nuk rrine dot pa rremuje e pa konflikt as me Shqiperine qe e kane pjese te kombit te tyre!!!”, kishte shkruar ish-ministri në një postim në Facebook më 21 qershor.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla ka komentuar pjesëmarrjen e zyrtarit të LVV-së, ish-deputetit Egzon Azemi në protestën kundër qeverisë në Tiranë.

Ai publikoi një video në Facebook, duke thënë se Azemi është edhe mik i Besnik Mujecit, aktivstit të LVV-së i cili në verën e vitit 2023 ishte arrestuar në Tiranë për shitje droge.

“Transparenca e Protestës. Identifikojmë sorrat‍. Kur unë flas për sorra inkubatorësh të urrejtjes nga Prishtina dhe Tetova, të cilët maskohen si shqiponja diaspore e kam fjalen për tipa si këta në video që sigurisht nuk kanë si të jenë pro qeverisë së Tiranës. Normal janë kundër Edi Ramës. Edhe kundër meje, pse jo. Sepse i kemi arrestuar me 11 mijë doza drogë”, shkroi Balla në postim.

Para pak ditësh, Azemi kishte publikuar një video në Facebook nga protesta në Tiranë.

“Sheshit të Shqipërisë së Re nuk i shihej as fillimi, as fundi. Nuk mund të mos i bashkohesha një thirrjeje kaq të sinqertë e energjike, që prej 35 ditësh me radhë po ushton kaq pastër e kaq fort! Shqipëria është atdheu i secilit shqiptar dhe kur tentohet të falet e të shitet, nuk do të heshtim kurrë”, kishte shkruar ai.

Protestat në Shqipëri, që tani po quhen “Revolucioni i Flamingove”, nisën fillimisht për të kundërshtuar projektin për ndërtimin e një resorti luksoz në Zvërnec, afër Vlorës, i lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump. Më pas kërkesat u zgjeruan dhe pakënaqësitë e shprehura kaluan përtej mbrojtjes së mjedisit. Kryeministrit shqiptar, Edi Rama po ia kërkojnë dorëheqjen.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA