Kampionia e Kosovës, Drita, tashmë e di rrugën e saj të parë drejt ëndrrës evropiane. Skuadra nga Gjilani do të përballet me Kauno Zalgiris në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve për sezonin 2026/27.
Shorti u hodh të martën në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës, ku Drita ishte pjesë e grupit të ekipeve bartëse. Ky status i mundësoi klubit kosovar të shmangte disa kundërshtarë më të vështirë në fazën e parë të eliminatoreve.
Megjithatë, përballë Dritës do të jetë një skuadër me përvojë në garat evropiane. Kauno Zalgiris, kampioni i Lituanisë, kërkon po ashtu të kalojë më tej dhe do të tentojë ta shfrytëzojë avantazhin e ndeshjes së parë në shtëpi.
Sfida e parë mes dy skuadrave do të zhvillohet më 7 ose 8 korrik në Lituani, ku Drita do të udhëtojë si mysafire. Ndërsa vendimi për kualifikimin do të merret në Kosovë, një javë më vonë, më 14 ose 15 korrik, në ndeshjen e kthimit.
Drita synon të bëjë një paraqitje sa më të mirë në Evropë dhe të vazhdojë rrugëtimin drejt fazave të mëtejshme të Ligës së Kampionëve, ku çdo hap i kaluar do të ishte një sukses i madh për klubin gjilanas.
Ndërkohë, edhe skuadra tjetër shqiptare, Egnatia, ka mësuar kundërshtarin e saj në këtë fazë të garës. Kampionët e Shqipërisë do të përballen me Petrocubin, kampionin e Moldavisë.





