Ndeshja mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Paraguait solli një nga rastet e para ku u aplikuan rregullat e reja të VAR-it në Kupën e Botës, duke shkaktuar konfuzion te tifozët dhe debat në rrjetet sociale.
Gjithçka ndodhi kur gjyqtari Danny Makkelie ndëshkoi me karton të verdhë mbrojtësin amerikan Tim Ream për një ndërhyrje ndaj Miguel Almiron. Megjithatë, pak çaste më vonë, dhoma e VAR-it ndërhyri dhe kërkoi rishikimin e aksionit për shkak të asaj që u cilësua si “identitet i gabuar”.
Vendimi habiti shumë tifozë, pasi deri më tani ky përkufizim përdorej vetëm në rastet kur gjyqtari ndëshkonte gabimisht një lojtar të të njëjtit ekip, duke ngatërruar identitetin e autorit të faullit.
Megjithatë, nga kjo Kupë Bote, FIFA ka zgjeruar interpretimin e këtij rregulli. Sipas ndryshimeve të reja, nëse një lojtar ndëshkohet për një shkelje që në të vërtetë është kryer nga një futbollist i ekipit kundërshtar, vendimi mund të korrigjohet përmes VAR-it.
Pas shqyrtimit të pamjeve, arbitrat në dhomën e VAR-it konstatuan se nuk kishte asnjë kontakt mes Ream dhe Almiron. Përkundrazi, ata vlerësuan se futbollisti paraguajan kishte simuluar rënien për të fituar një faull.
Si rezultat, Makkelie u thirr pranë monitorit, rishikoi aksionin dhe ndryshoi vendimin fillestar. Kartoni i verdhë i dhënë për Ream u anulua, ndërsa ndëshkimi iu dha Almironit për simulim.
Situata krijoi hutim edhe te vetë lojtari paraguajan, i cili fillimisht nuk e kuptoi arsyen pse përfundoi i ndëshkuar me karton të verdhë pas ndërhyrjes së VAR-it.
Ky rast përbën një shembull të qartë të mënyrës se si rregullat e reja të VAR-it do të zbatohen gjatë Kupës së Botës, me synimin për të korrigjuar më shumë gabime dhe për të rritur saktësinë e vendimeve në fushë.





