Kapiteni i Francës, Kylian Mbappé, ka shprehur dëshirën që trajneri aktual i “Les Bleus”, Didier Deschamps, të mos marrë drejtimin e asnjë kombëtareje tjetër pas largimit nga stoli i Francës.
Sulmuesi i Real Madrid theksoi se mënyra më e mirë për ta nderuar Deschampsin është fitimi i Kupës së Botës, duke i dhuruar një mbyllje të denjë aventurës së tij me përfaqësuesen franceze.
“Forma më e mirë për ta nderuar është të fitojmë Botërorin, sepse ai dëshiron të fitojë. Ne do të bëjmë gjithçka që ai ta përjetojë Kupën e Botës në mënyrën më të mirë të mundshme, duke shpresuar që të jetë e fundit për të”, deklaroi Mbappé në një intervistë për M6.
Megjithatë, 27-vjeçari nuk e fshehu dëshirën që Deschamps të mos vazhdojë karrierën në drejtimin e një kombëtareje tjetër.
“E them këtë sepse shpresoj që ai të mos drejtojë ndonjë përfaqësuese tjetër. Kam dëgjuar zëra për Italinë dhe kombëtare të tjera, por kjo do të ishte e çuditshme”, u shpreh ai.
Mbappé vlerësoi lart ndikimin e Deschamps te Franca, duke theksuar se puna dhe sukseset e tij kanë bërë që shumë federata ta admirojnë.
“Ai do të thotë shumë për ne. Është normale që kombëtare të ndryshme ta dëshirojnë, duke parë gjithçka që ka arritur. Por italianët le të zgjedhin një trajner italian. Didier është francez dhe i përket Francës”, përfundoi sulmuesi francez.





