E ardhmja e Marcus Rashford vazhdon të mbetet e paqartë. Sipas raportimeve të fundit, Barcelona ka vendosur të mos aktivizojë klauzolën e blerjes prej 30 milionë eurosh për sulmuesin anglez, duke e bërë të pamundur transferimin e tij të përhershëm në këtë fazë.
Vendimi i klubit katalanas vjen pas afrimit të Anthony Gordon, transferim që ka ndryshuar prioritetet e Barcelonës në repartin ofensiv. Megjithatë, drejtuesit e klubit nuk e kanë mbyllur plotësisht derën për Rashfordin dhe mbeten të hapur për alternativa të tjera.
Burime pranë klubit bëjnë të ditur se Barcelona do të shqyrtonte mundësinë e një tjetër huazimi nëse Manchester United do të ishte i gatshëm të negocionte një marrëveshje të re për sezonin e ardhshëm.
Klauzola e blerjes skadon pas pesë ditësh dhe, në mungesë të aktivizimit të saj, Rashford do të rikthehet zyrtarisht te Manchester United, klub me të cilin vazhdon të ketë kontratë të vlefshme.
Tashmë drejtuesit e “Djajve të Kuq” do të marrin në dorë fatin e sulmuesit 28-vjeçar, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ai do të përfshihet në planet e skuadrës apo do të kërkohet një zgjidhje e re në merkato.
Me Barcelonën që nuk është e gatshme të investojë 30 milionë euro për kartonin e tij, e ardhmja e Rashfordit duket se do të jetë një nga temat më të nxehta të javëve të ardhshme.
A do të ketë një tjetër huazim në “Camp Nou” apo anglezi do të rikthehet përfundimisht në “Old Trafford”? Përgjigjja pritet të vijë shumë shpejt.





