Manchester United ka zyrtarizuar largimin e tre futbollistëve të ekipit të parë pas përfundimit të kontratave të tyre me klubin. Jadon Sancho, Casemiro dhe Tyrell Malacia nuk do të jenë më pjesë e “Djajve të Kuq” nga sezoni i ardhshëm.
Sancho iu bashkua skuadrës nga Borussia Dortmund në vitin 2021, ndërsa Casemiro dhe Malacia mbërritën në “Old Trafford” gjatë verës së vitit 2022. Të tre futbollistët kanë mbyllur kapitullin e tyre me klubin anglez pas disa sezoneve në fanellën e Unitedit.
Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate zyrtare të publikuar nga Manchester United, ku klubi falënderoi lojtarët për kontributin e tyre dhe u uroi suksese në sfidat e ardhshme.
“Të gjithë në klub dëshirojnë të falënderojnë Casemiron, Tyrell Malacian dhe Jadon Sanchon për kontributin e tyre te Manchester United dhe t’u urojnë atyre çdo të mirë për të ardhmen”, thuhej në deklaratën e klubit.
Mesazhi u shoqërua edhe me sloganin tradicional të Unitedit: “Një herë i kuq, gjithmonë i kuq”, së bashku me fotografitë e tre futbollistëve.
Përveç ndryshimeve në ekipin e parë, Manchester United konfirmoi edhe largimin e disa lojtarëve nga akademia, përfshirë Sonny Aljofree, James Nolan dhe Malachi Sharpe, të cilëve gjithashtu u kanë përfunduar kontratat.





