Todosijeviq lirohet nga akuzat pas deklaratës për Raçakun

Gjykata Supreme e Kosovës ka liruar zyrtarin e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, nga të gjitha akuzat për gjuhë të urrejtjes në deklaratën e tij ku mohonte masakrën e Reçakut.

Vendimi nënkupton se edhe aktgjykimi i mëparshëm me të cilin ai ishte dënuar me një vit burgim, anulohet.

Lajmin për lirimin e tij nga të gjitha akuzat e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë avokati i tij, Nebojsha Vlajiq.

“Vendimi i Gjykatës Supreme është i formës së prerë, nuk ka më ankesa apo procedurë, zoti Todosijeviq është njeri i lirë”, tha Vlajiq, shkruan REL.

Ivan Todosijeviq u gjykua dy herë për “përhapje të urrejtjes dhe jotolerancës”. Herën e parë ai u dënua me dy vjet burg, por Gjykata e Supreme e Kosovës mori vendim në fund të vitit 2021 që gjykimin ta kthejë në fillim.

Në një gjykim të përsëritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ai është dënuar me një vit burg.

Gjyqi ndaj tij është zhvilluar për shkak të gjuhës së urrejtjes. Todosijeviq ka deklaruar në mars të vitit 2019 se arsye për “agresionin e NATO-s” kundër caqeve të ushtrisë jugosllave më 1999 ka qenë “e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

Todosijeviq është anëtar i kryesisë së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit. Ai është edhe kryetar i komunës paralele serbe të Zveçanit.

Në kohën kur Todosijeviq bëri deklaratat për masakrën e Reçakut, ai mbante postin e ministrit të Administrimit të Vetëqeverisjes Lokal në Qeverinë e Kosovës. Më pas ai u shkarkua nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Përveç se i kishte cilësuar si “trillim” ngjarjet në Reçak, deklaratatat e bëra në 20-vjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO-s ndaj Jugosllavisë së atëhershëm, Todosijeviq tha po ashtu se “terroristët shqiptarë, që i shpikën të gjitha, i bënë krimet më të mëdha në Kosovë dhe Metohi, për të cilat askush nuk është burgosur dhe nuk ka dhënë përgjegjësi deri më sot”.

NATO nisi sulmet ndaj caqeve serbe për të parandaluar dhunën e ushtruar nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë. Kësaj ngjarje i parapriu vrasja e 45 shqiptarëve në fshatin Reçak të Shtimes.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, publikisht i ka dalë në mbrojtje Todosijeviqit, duke thënë se ai beson se “Reçaku është trillim” dhe se serbët në Kosovë nuk kanë të drejtë të lirisë së fjalës./REL/

 

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA