Trajneri i Kombëtares së Brazilit, Carlo Ancelotti, ka shprehur optimizëm të madh për shanset e ekipit të tij në Kupën e Botës 2026, duke deklaruar se beson se “Seleçao” mund të arrijë deri te trofeu më i rëndësishëm në futbollin botëror.
I pyetur drejtpërdrejt nëse Brazili do ta fitojë Botërorin e ardhshëm, tekniku italian dha një përgjigje pozitive dhe plot besim.
“Unë mendoj se po. Dua të krijoj pritshmëri të larta te lojtarët. Kur pritshmëritë janë të larta, motivimi është më i madh”, deklaroi Ancelotti.
Megjithatë, ai theksoi se talenti individual nuk mjafton për të arritur sukses në një kompeticion kaq të madh, duke nënvizuar rëndësinë e ndërtimit të një grupi të bashkuar dhe të përkushtuar.
“Talenti mund të shfrytëzohet vetëm kur ekziston një ekip i bashkuar. Pikërisht për këtë duhet të punojmë dhe do ta bëjmë”, shtoi trajneri brazilian.
Ancelotti vlerësoi gjithashtu aspektin psikologjik si një element kyç për suksesin e skuadrës, duke kërkuar përulësi, sakrificë dhe punë të vazhdueshme nga futbollistët.
“Aspekti psikologjik është shumë i rëndësishëm. Lojtarët duhet të jenë vetëmohues, të përulur dhe të punojnë fort për të arritur një qëllim të përbashkët, duke kontribuar maksimalisht për ekipin”, përfundoi ai.
Brazili synon t’i japë fund pritjes së gjatë për titullin botëror dhe do ta nisë rrugëtimin e tij në Kupën e Botës 2026 me objektiva të qarta, ndërsa Ancelotti synon ta udhëheqë kombëtaren drejt lavdisë së shumëpritur.





