Ish-trajneri i Fenerbahçes, Jose Mourinho, ka paraqitur padi kundër Turqisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), duke kundërshtuar sanksionet disiplinore që iu shqiptuan gjatë kohës që drejtonte klubin nga Stambolli.
Sipas mediave turke, Gjykata në Strasburg e ka pranuar padinë për shqyrtim dhe ka kërkuar një deklaratë zyrtare nga qeveria turke, e cila ka afat gjashtë muaj për t’u përgjigjur.
Çështja lidhet me dënimet që Bordi Disiplinor i Futbollit Profesional (PFDK) i Federatës Turke të Futbollit vendosi ndaj Mourinhos pas komenteve që ai bëri pas një ndeshjeje ndaj Trabzonsporit në nëntor 2024. Si pasojë, trajneri u ndëshkua me përjashtim nga dhoma e zhveshjes dhe gjobë me disa qindra mijëra lira turke. Vendimi u la në fuqi edhe nga Bordi i Arbitrazhit i Federatës Turke.
Në padinë e tij, Mourinho argumenton se organet disiplinore nuk janë të pavarura dhe se dënimet kanë shkelur të drejtën për lirinë e shprehjes. Ai shton se nuk i është dorëzuar në mënyrë të rregullt vendimi i arsyetuar, duke i mohuar të drejtën për një gjykim të drejtë.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka theksuar se kërkesa drejtuar qeverisë turke nuk e paragjykon epilogun, por shënon nisjen e procedurës zyrtare të shqyrtimit.
Mourinho u emërua trajner i Fenerbahçes në 2024 dhe u largua në gusht 2025, duke udhëhequr ekipin në 62 ndeshje me një mesatare prej 2.02 pikësh për ndeshje. Aktualisht ai është trajner i Benficas, ndërsa mediat e lidhin edhe me një rikthim të mundshëm te Real Madrid, në rast se Florentino Pérez siguron mandat të ri në krye të klubit.





