Turneu prestigjioz i Roland Garros vazhdon të sjellë rezultate befasuese në fushat me dhe të kuq në Paris.
Surpriza më e madhe erdhi në konkurrencën e femrave, ku numri 1 në botë, Aryna Sabalenka, u eliminua në çerekfinale nga rusja Diana Shnaider me rezultat 2-1 në sete (3-6, 7-5, 6-0).
Bjellorusja ishte shumë pranë kualifikimit, pasi në setin e dytë kryesonte 5-3 dhe i nevojitej vetëm edhe një “game” për të mbyllur ndeshjen. Megjithatë, Sabalenka pësoi një rënie të papritur në lojë, duke humbur dhjetë “game” radhazi dhe duke i dhënë mundësinë Shnaiderit të përmbysë gjithçka.
Në gjysmëfinale, Diana Shnaider do të përballet me polaken Maya Chwalinska, e cila siguroi kualifikimin pasi mposhti rusen Anna Kalinskaya me rezultat 2-0 në sete (7-6, 6-3).
Në konkurrencën e meshkujve, një vend në gjysmëfinale e siguroi italiani Matteo Arnaldi. Ai përfitoi nga tërheqja e bashkëkombësit të tij Matteo Berrettini për shkak të një dëmtimi, në momentin kur rezultati ishte 7-5, 5-2 në favor të Arnaldit.
Në gjysmëfinale, Arnaldi do të ndeshet me një tjetër italian, Flavio Cobolli, i cili triumfoi ndaj kanadezit Felix Auger-Aliassime me rezultat 3-1 në sete (4-6, 6-4, 6-4, 6-4).
Roland Garros po hyn në fazën vendimtare, ndërsa surprizat dhe eliminimet e favoritëve vazhdojnë të jenë tema kryesore e turneut





