Futbolli kosovar është në zi pas lajmit tragjik për ndarjen nga jeta të futbollistit Leonit Aliu. Pas konfirmimit të lajmit, KF Fushë Kosova ka reaguar me një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke i dhënë lamtumirën njërit prej futbollistëve të klubit.
Aliu është konfirmuar si njëri nga dy të rinjtë nga Kosova që humbën jetën tragjikisht të mërkurën në plazhin “Rana e Hedhun” në Shëngjin, pasi u përfshinë nga dallgët e fuqishme të detit.
Në reagimin e tij, klubi ka shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e futbollistit, duke e përshkruar atë si një djalë të sjellshëm, të buzëqeshur dhe plot energji pozitive.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen tënde nga jeta. Do të të kujtojmë gjithmonë si një djalë të mirë, të buzëqeshur dhe plot jetë. Kujtimi yt do të mbetet përherë në zemrat tona. U prehsh në paqe, Leonit”, thuhet në mesazhin e publikuar nga KF Fushë Kosova.
Vdekja e parakohshme e Leonit Aliut ka shkaktuar pikëllim të madh te bashkëlojtarët, miqtë, familjarët dhe i gjithë komuniteti sportiv në Kosovë, të cilët kanë shprehur ngushëllimet e tyre për familjen dhe të afërmit e tij në këto momente të vështira.
Postimi i plotë i KF Fushë Kosovës:
“Lamtumirë, Leonit Aliu.
Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen tënde nga jeta. Do të të kujtojmë gjithmonë si një djalë të mirë, të buzëqeshur dhe plot jetë.
Kujtimi yt do të mbetet përherë në zemrat tona.
U prehsh në paqe, Leonit.”





