Kombëtarja e Kosovës U21 do të zbresë sot në fushë për të zhvilluar ndeshjen miqësore kundër Turqisë U21. Takimi do të luhet në stadiumin Ümraniye Belediyesi Şehir Stadı në Turqi, me fillim nga ora 19:00 sipas kohës lokale në Kosovë.
Dardanët e rinj e kanë pritur këtë përballje pas disa ditësh përgatitjesh intensive nën drejtimin e përzgjedhësit Hekuran Kryeziu dhe stafit të tij. Ekipi ka zhvilluar stërvitjet në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, ku fokusi kryesor ka qenë përmirësimi i aspektit taktik dhe fizik para sfidës me një kundërshtar cilësor si Turqia.
Kjo ndeshje do të shërbejë si një test i rëndësishëm për futbollistët kosovarë, të cilët synojnë të tregojnë potencialin e tyre dhe të vazhdojnë ngritjen në prag të sfidave të ardhshme.
Historia e përballjeve mes Kosovës U21 dhe Turqisë U21 favorizon skuadrën turke. Dy kombëtaret janë përballur katër herë deri më tani, ku Kosova ka regjistruar një fitore, ndërsa Turqia ka triumfuar në tri ndeshje.
Pas takimit të sotëm, Kosova U21 do të zhvillojë edhe një tjetër ndeshje miqësore. Më 6 qershor, në Hajvali, Dardanët do të presin Luksemburgun U21 në një sfidë që do të nisë nga ora 17:00, duke vazhduar kështu ciklin e përgatitjeve dhe testimit të ekipit për angazhimet e ardhshme ndërkombëtare.





