FIFA ka konfirmuar një sërë rregullash të reja që do të aplikohen në Kupën e Botës 2026, me synimin për të rritur kohën efektive të lojës dhe për të reduktuar vonesat e qëllimshme gjatë ndeshjeve.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me rivëniet anësore. Futbollistët do të kenë vetëm pesë sekonda në dispozicion për ta futur topin në lojë, ndërsa vonesat e qëllimshme mund të ndëshkohen me kalimin e posedimit te skuadra kundërshtare. I njëjti parim do të zbatohet edhe për goditjet nga porta, ku humbja e qëllimshme e kohës mund të rezultojë me akordimin e një goditjeje këndi për ekipin rival.
Ndryshime të rëndësishme janë paraparë edhe në procedurën e zëvendësimeve. Lojtarët që largohen nga fusha do të kenë vetëm 10 sekonda kohë për të dalë nga pika më e afërt. Në rast se nuk e respektojnë këtë afat, futbollisti zëvendësues nuk do të lejohet të hyjë në fushë për të paktën një minutë, duke bërë që skuadra e tij të luajë përkohësisht me një lojtar më pak.
Sipas rregullave të reja, futbollistët që marrin trajtim mjekësor nga stafi mjekësor do të duhet të qëndrojnë jashtë fushës për 60 sekonda para se të rikthehen në lojë. Përjashtim do të bëhet për portierët, dëmtimet serioze dhe rastet kur kundërshtari ndëshkohet me karton të verdhë ose të kuq.
FIFA ka ashpërsuar edhe masat disiplinore. Lojtarët që mbulojnë gojën gjatë debateve ose përballjeve me kundërshtarët mund të ndëshkohen deri me karton të kuq, në varësi të situatës dhe vlerësimit të gjyqtarit.
Ndërkohë, sistemi VAR do të ketë kompetenca më të gjera. Për herë të parë, do të mund të verifikohet nëse një goditje këndi është akorduar saktë, për sa kohë kontrolli kryhet shpejt dhe para rifillimit të lojës. Gjithashtu, përjashtimet që vijnë si pasojë e kartonit të dytë të verdhë do të mund të rishikohen pasi të jenë dhënë, megjithëse VAR nuk do të ndërhyjë për të sugjeruar një karton të dytë të verdhë gjatë zhvillimit të aksionit.
Këto ndryshime pritet të zbatohen për herë të parë në Kupën e Botës 2026, e cila do të organizohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.





