Mesfushori brazilian Casemiro beson se fakti që Brazili nuk konsiderohet ndër favoritët kryesorë për ta fituar Kupën e Botës mund të jetë një avantazh për kombëtaren e tij.
Brazili synon ta fitojë titullin e gjashtë botëror, duke e forcuar edhe më tej rekordin si kombëtarja më e suksesshme në historinë e këtij turneu. Megjithatë, sipas parashikimeve aktuale, Spanja, Franca dhe Anglia konsiderohen favoritët kryesorë për triumfin në Botëror.
“Ne nuk jemi favoritët kryesorë. Sigurisht që jemi në formë të mirë. Kemi një skuadër të fortë me një kombinim të përvojës dhe talenteve të rinj. Ndoshta këtë herë jemi një hap prapa, por jemi gati dhe kjo është gjithmonë pozitive. Duam t’i afrohemi turneut në formën më të mirë të mundshme dhe të zhvillojmë një Kupë Bote të shkëlqyer”, ka deklaruar Casemiro.
Duke folur për përgatitjet e ekipit, ai pranoi se kombëtarja braziliane ka kaluar një periudhë të vështirë për shkak të ndryshimeve në drejtim.
“Ka qenë një periudhë e vështirë me ndryshimin e trajnerit, ndryshimin e presidentit dhe shumë turbulenca. Kemi punuar me trajnerin vetëm për një vit dhe, në realitet, kemi kaluar rreth 40 ditë së bashku. Megjithatë, besoj se po hyjmë në turne në formë të mirë”, u shpreh ai.
Brazili do ta nisë fushatën e tij në Kupën e Botës në Grupin C, ku do të përballet me Marokun, Haitin dhe Skocinë.





