Të paktën tetë persona, mes tyre një baba me dy fëmijët e tij, u vranë të martën në jug të Libanit nga sulmet izraelite, vetëm një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Izraeli dhe Hezbollahu, i mbështetur nga Irani, kishin rënë dakord të ulnin intensitetin e luftimeve.
Megjithatë, pavarësisht deklaratave për de-përshkallëzim, Hezbollahu ka vazhduar të lëshojë dhjetëra predha dhe dronë ndaj ushtarëve izraelitë në jug të Libanit dhe ndaj zonave civile në Izrael.
Tensionet u rritën edhe më tej pasi Izraeli kërcënoi të hënën me sulme ndaj periferive jugore të Bejrutit, duke shkaktuar panik në kryeqytetin libanez dhe duke detyruar mijëra banorë të largohen nga zona. Forcat izraelite po zhvillojnë inkursionin e tyre më të thellë në Liban në 26 vjetët e fundit, ndërsa Bejruti deri më tani është kursyer kryesisht nga sulmet.
Më vonë, Trump njoftoi se, pas një bisede telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe kontakteve me grupin militant libanez përmes ndërmjetësve, ishte arritur mirëkuptimi që “nuk do të hyjnë trupa në Bejrut”.
Megjithatë, zhvillimet në terren tregojnë pak ndryshim, pasi të dyja palët kanë vazhduar sulmet me intensitet të lartë.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi të martën gjatë një konference për sigurinë se Izraeli ishte përmbajtur më herët nga goditjet ndaj Bejrutit për shkak të negociatave mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Sipas tij, Teherani po kërkon një marrëveshje armëpushimi në konfliktin me Izraelin, e cila do të ndalte edhe përplasjet në Liban.
Katz tha se Netanyahu i ka bërë të qartë Trumpit, gjatë një telefonate të zhvilluar të hënën në mbrëmje, se Izraeli do të godasë periferitë jugore të Bejrutit nëse Hezbollahu vazhdon sulmet ndaj veriut të Izraelit.
Ndërkohë, një rund i dytë bisedimesh mes Izraelit dhe Libanit pritet të mbahet të martën dhe të mërkurën në Uashington. Negociatorët libanezë do të kërkojnë një armëpushim të plotë që do të parandalonte sulme të tjera në të ardhmen.
Këto bisedime, të nisura në prill, janë të parat mes dy vendeve pas më shumë se tri dekadash, duke pasur parasysh se Izraeli dhe Libani nuk kanë marrëdhënie formale diplomatike. Hezbollahu ka refuzuar negociatat e drejtpërdrejta, duke u mbështetur në ndikimin dhe mbështetjen e Iranit.
Luftimet në Liban mbeten një pengesë serioze për marrëveshjen që po diskutohet për zgjatjen e armëpushimit mes Iranit dhe Izraelit. Edhe pse në prill u arrit një armëpushim i ndërmjetësuar nga Uashingtoni, Izraeli dhe Hezbollahu kanë vazhduar shkëmbimin e sulmeve, ndërsa Izraeli argumenton se vepron në kuadër të vetëmbrojtjes.





