Legjenda e tenisit botëror, Serena Williams, ka konfirmuar rikthimin e saj në arenën profesioniste në moshën 44-vjeçare, gati katër vjet pas paraqitjes së saj të fundit zyrtare.
Fituesja e 23 titujve Grand Slam do të marrë pjesë në turneun HSBC Championships në Queen’s Club të Londrës, i cili nis më 8 qershor. Tenistja amerikane ka siguruar një ftesë speciale (wild card) për garën e dysheve, ku do të luajë krah talentes kanadeze Victoria Mboko.
Lajmi është konfirmuar nga organizatorët e turneut, të cilët e kanë përshëndetur rikthimin e saj me mesazhin: “Mbretëresha është kthyer!”. Ndërkohë, edhe vetë Serena publikoi një video në rrjetet sociale, duke lënë të kuptohet se rikthimi i saj në fushat e tenisit tashmë është zyrtar.
“Queen’s Club më duket vendi ideal për të nisur këtë kapitull të ri. Bari më ka dhuruar disa nga momentet më të veçanta të karrierës sime dhe jam shumë e emocionuar që rikthehem në garë”, është shprehur Williams.
Ndeshjen e saj të fundit zyrtare Serena e zhvilloi në US Open 2022, ku arriti deri në raundin e tretë. Edhe pse u tërhoq nga aktiviteti profesional për t’iu përkushtuar familjes dhe jetës private, ajo nuk e shpalli asnjëherë zyrtarisht fundin e karrierës.
Gjatë karrierës së saj të jashtëzakonshme, Serena Williams ka fituar shtatë tituj në Wimbledon në konkurrencën individuale, si dhe gjashtë tituj në dyshe së bashku me motrën e saj, Venus Williams, duke u konsideruar si një nga sportistet më të mëdha në historinë e tenisit.





