Vazhdojnë diskutimet rreth vendit ku do të mbahet ceremonia hapëse e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, një nga ngjarjet më të mëdha sportive që Kosova do të organizojë ndonjëherë.
Ditët e fundit është përmendur mundësia që, për shkak të mungesës së një stadiumi nacional në kryeqytet, ceremonia hapëse të zhvendoset në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Megjithatë, kjo ide është kundërshtuar nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili insiston se hapja duhet të zhvillohet patjetër në kryeqytet.
Në deklaratën e tij për KosovaPress, Rama theksoi se projekti mban emrin “Prishtina 2030” dhe se pjesa më e madhe e garave do të zhvillohet në Prishtinë, duke e bërë të natyrshme që edhe ceremonia hapëse të organizohet aty. Ai shtoi se ky është një projekt që kërkon bashkim dhe jo përçarje, duke apeluar që çështja të mos politizohet.
Nga ana tjetër, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, sqaroi se vendimet për organizimin e Lojërave Mesdhetare nuk varen nga individë apo institucione të veçanta, por merren nga Komiteti Organizativ. Sipas tij, çdo propozim mund të shqyrtohet, por vendimi përfundimtar i takon këtij komiteti dhe më pas miratohet nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare.
Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” pritet të jenë eventi më i madh sportiv i organizuar ndonjëherë në Kosovë, ndërsa çështja e infrastrukturës dhe ceremonisë hapëse mbetet ende e hapur deri në vendimet përfundimtare të organizatorëve.





