E ardhmja e Ardon Jasharit te Milani mbetet e paqartë, në një periudhë tranzicioni për klubin kuqezi, i cili ende nuk ka finalizuar emërimin e trajnerit të ri për sezonin e ardhshëm.
Mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane iu bashkua Milanit pas një sage të gjatë negociatash me Club Brugge, ku klubi italian kishte bërë disa oferta para se të arrinte marrëveshjen për transferimin e tij.
Sipas raportimeve të gazetarit Daniele Longo, ekziston mundësia që 23-vjeçari të largohet nga “San Siro” më herët sesa ishte parashikuar fillimisht. Interesim për shërbimet e tij kanë shfaqur Roma, Como dhe Atalanta, ndërsa në garë për të thuhet se janë përfshirë edhe klube nga Gjermania dhe Anglia.
Një largim i mundshëm i Jasharit do të ishte një zhvillim i rëndësishëm për Milanin, duke marrë parasysh investimin dhe pritshmëritë e mëdha që shoqëruan transferimin e tij. Situata aktuale në klub, me mungesën e një strukture të plotë sportive dhe trajneri të konfirmuar, e bën edhe më të ndërlikuar vendimmarrjen për të ardhmen e lojtarëve.
Në të njëjtën kohë, nuk përjashtohet mundësia që trajneri i ardhshëm ta konsiderojë Jasharin si pjesë të rëndësishme të projektit dhe të kërkojë qëndrimin e tij në skuadër.
Vendimi përfundimtar për të ardhmen e mesfushorit pritet të merret pas përfundimit të Kampionatit Botëror, ku ai do të jetë pjesë e përfaqësueses së Zvicrës.





