Portieri i Kombëtares së Kosovës, Arijanet Muric, do të vazhdojë karrierën në Itali, pasi Sassuolo ka vendosur ta blejë përfundimisht nga Ipswich Town.
Klubi italian e ka konfirmuar zyrtarisht marrëveshjen të hënën, duke e bërë të ditur se ka aktivizuar klauzolën e blerjes për portierin kosovar, i cili ishte pjesë e ekipit në formë huazimi që nga vera e vitit 2025.
Gjatë sezonit të kaluar, Muric u shndërrua në një nga elementët më të rëndësishëm të Sassuolos, duke regjistruar 32 paraqitje në të gjitha garat dhe duke kaluar 2.880 minuta në fushë. Paraqitjet e tij të qëndrueshme dhe performanca pozitive bindën drejtuesit e klubit italian për ta mbajtur në mënyrë permanente.
Për 27-vjeçarin, kjo lëvizje përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij profesionale, pas eksperiencave në Angli me klube si Manchester City, Burnley dhe Ipswich Town. Tashmë, Muric do të vazhdojë të jetë pjesë e Sassuolos si portieri i parë i ekipit në Serie A.





