Partia Demokratike e Kosovës e nisi ditën e tretë të fushatës zgjedhore me një konferencë për media, ndryshe nga subjektet e tjera politike. Kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, mbajti konferencën pa energji elektrike dhe pa sistem të zërimit, duke e përdorur situatën si ilustrim të problemeve që, sipas tij, po përballon vendi në sektorin energjetik.
Kurse gjatë tubimit në Lipjan, Hamza publikoi një mesazh politik ku theksoi nevojën për ndryshim dhe veprim të shpejtë.
“Kosova nuk është vend i krizave të pafundme. Ndryshimi nuk mund të presë më. Qytetarët e kërkojnë atë tani”, shkroi ai.
Pas Lipjanit, fushata vijoi në Shtime dhe më pas në Suharekë me fokus në mobilizimin e elektoratit dhe prezantimin e programit qeverisës të PDK-së.





