Lidhja Demokratike e Kosovës ka vazhduar aktivitetet në kuadër të ditës së tretë të fushatës elektorale me një agjendë të ngjeshur takimesh me qytetarët. Aktivitetet e ditës nisën në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, ku Forumi i Gruas i LDK-së prezantoi 38 kandidatet gra për deputete të kësaj partie.
Më pas, kryetari i LDK-së dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, së bashku me kandidaten numër 1 në listën e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani, zhvilluan takime me qytetarë në Klinë.
Para të pranishmëve, Abdixhiku prezantoi zotimet kryesore të programit të LDK-së.
Nga ana tjetër, Vjosa Osmani premtoi anëtarsimin e Kosovës në NATO.
Në Deçan, Abdixhiku tha se me të në pushtet nuk do të ketë më pension më të ulët sesa 300 euro në muaj.
Kurse në tubimin e mbajtur në Pejë, I pari i LDK-së u zotua për heqjen e TVSH-së për produktet bazike në javën e parë të qeverisjes.
Ndërkohë, Vjosa Osmani në fjalimin e saj para qytetarëve tha se kundërshtarët politikë po shmangin debatin dhe po përdorin propagandë e fyerje.





