Nico Paz është gjithnjë e më pranë rikthimit te Real Madridi, me mesfushorin argjentinas që tashmë është i informuar prej javësh për planet e klubit dhe e ka pranuar me entuziazëm sfidën për t’u rikthyer në “Santiago Bernabeu” sezonin e ardhshëm.
Sipas raportimeve, lojtari është i gatshëm të nisë një kapitull të ri me skuadrën madrilene, pavarësisht lidhjes emocionale që ka krijuar me Comon gjatë qëndrimit të tij në Itali. Paz largohet nga klubi italian me vlerësime të larta, pasi zhvilloi një sezon pozitiv dhe u rrit ndjeshëm si futbollist nën drejtimin e trajnerit Cesc Fabregas.
Te Real Madridi besohet se 20-vjeçari rikthehet si një lojtar më i pjekur dhe me cilësi të dëshmuara, i gatshëm për të konkurruar në nivelin më të lartë.
Klubi madrilen pritet të aktivizojë klauzolën e riblerjes para afatit të 30 qershorit, duke siguruar shërbimet e talentit argjentinas për një shumë më të vogël se vlera aktuale e tij në treg. Raportohet se Reali do ta rikthejë Paz për më pak se 10 milionë euro, një lëvizje që konsiderohet shumë e favorshme ekonomikisht.
Në këtë mënyrë, “Los Blancos” kanë arritur të mbrojnë interesat e tyre ndaj konkurrencës së fortë nga klubet e tjera evropiane, të cilat ishin të gatshme të investonin shuma shumë më të larta për transferimin e mesfushorit premtues.
Rikthimi i Nico Paz pritet të jetë një nga lëvizjet e para të Real Madridit gjatë afatit kalimtar veror, ndërsa drejtuesit e klubit vazhdojnë ndërtimin e skuadrës për epokën e re nën drejtimin e Xabi Alonsos.





