Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, ka filluar dëshminë para Gjykatës Speciale, në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe pse Zyra e Prokurorit të Specializuar insistoi që deklaratën e tij ta paraqesë vetëm me shkrim, trupi gjykues e rrëzoi kërkesën e tyre dhe e solli atë në gjykatore.
Në seancën e pasdites, prokuroria ka filluar intervistimin e tij me pyetjet për të dhënat personale të Mustafës ku ndër të tjera ai ka pohuar se është i njohur si “Remi” dhe se ka qenë ushtar i UÇK-së dhe komandant i Zonës Operative të Llapit.
Ai ka konfirmuar se ka dhënë deklarata për procesin gjyqësor qe ka qenë kundër tij gjatë kohës së UNMIK-ut dhe EULEX-it, si dhe deklaratat e dhëna tri vjet më para Gjykatës Speciale.
Prokurorja Clarie Lawson ka shfaqur një dokument sipas saj me udhëzime që tregon se si duhet të ndërveprohet me gazetarët, vëzhguesit e diplomatët.
Lidhur me këtë, Mustafa ka thënë se ata të Zonës Operative të Llapit i ka caktuar ai vet dhe jo shtabi i përgjithshëm.
Lawson: Është një dokument që jep udhëzime tregon si duhet të ndërveprohet me gazetarët, me vëzhguesit, me diplomatet. A ju kujtohet që u janë dhënë udhëzime nga shtabi i përgjithshëm lidhur me këto çështje?
Mustafa: Unë e di që është diskutuar brenda radhëve të UÇK-së mirësjellja me vëzhgues, me gazetarë, por dokumenti si dokument nuk po më kujtohet tani.
Lawson: Nëse e shohim paragrafin e dytë të këtij dokumenti që ka të bëjë me vëzhguesit, pra thuhet që shtabi i përgjithshëm ka caktuar personin i cili është i ngarkuar për informim të ndërsjellë me vëzhguesit dhe se ka caktim i këtij personi do të njoftohet me shkresë të veçantë, a ka ndodhur kjo gjë?
Mustafa: As sot nuk e di kush ka qenë.
Lawson: Nuk ju kujtohet apo nuk e dini kush ka qenë personi i ngarkuar në zonën operative të Llapit për të mbajtur marrëdhënie me vëzhguesit.
Mustafa: Për zonën operative të Llapit e kam caktuar unë, nuk e ka caktuar shtabi i përgjithshëm.
Lawson: Kush ishte ky person?
Mustafa: Kam pasur nga zyra për informim publik tre ose katër persona.
Lawson: A mund të na thoni si quheshin këta persona?
Mustafa: Ismet Cakiqi, Lirak Celaj, Hysen Fazliu, dhe eprorë të lartë të zonës në përgjithësi, shefi i shtabit, zëvendësi im dhe komandant të brigadave.
Pas kësaj, prokurorja ka shfaqur një tjetër dokument të datës 19 nëntor 1998.
Mustafa: UÇK shtrirja e saj në teren dhe raporti me vëzhguesit e OSBE-së.
Lawson: A e shihni aty që Fatmir Humolli është përcaktuar si ndërlidhës për zonën e Llapit. A Ju kujtohet që është bërë ky caktim?
Mustafa: Më duket është gabim.
Lawson: Ju nuk e dini që ai ka pasur një rol për të luajtur në lidhje me OSBE-në
Mustafa: Është emri më sa paku është marrë me këtë çështje. Mund të jetë caktuar por unë nuk e paskam ditë këtë gjë.
Pas kësaj seanca është ndërprerë për shkak të pauzës së drejtës dhe pritet të vazhdojë pas orës 15:00 me dëshminë e Rrustem Mustafës.
Ai pritet të intervistohet për rreth 36 orë, prej tyre 12 nga prokuroria, 23 nga mbrojtja e të akuzuarve dhe një orë nga avokati i viktimave.
Gjykimi kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të tyre.
Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.
Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./KP