New York Knicks mposhtën Cleveland Cavaliers me rezultat 121:108 dhe morën epërsinë bindëse 3-0 në serinë finale të Konferencës Lindore.
Skuadra nga New Yorku kontrolloi ritmin e ndeshjes që nga fillimi dhe tani i duhet vetëm edhe një fitore për të siguruar finalen e madhe të NBA-së, të parën pas 27 vitesh.
Lider i Knicks ishte Jalen Brunson me 30 pikë, ndërsa Mikal Bridges shtoi 22 dhe OG Anunoby realizoi 21 pikë.
Ekipi i drejtuar nga Mike Brown tregoi efikasitet të lartë në sulm, duke realizuar 43 gjuajtje nga 77 tentime nga loja, si dhe duke qenë pothuajse perfekt nga vija e gjuajtjeve të lira.
Me këtë fitore, Knicks regjistruan triumfin e tyre të dhjetë radhazi në play-off, duke u bërë vetëm skuadra e shtatë në historinë e NBA-së që arrin një seri të tillë. Ata barazuan edhe rekordin e Boston Celtics nga viti 2024, kur skuadra nga Bostoni u shpall kampione.
Dominimi i New Yorkut konfirmohet edhe nga diferenca totale prej +225 pikësh gjatë këtyre dhjetë ndeshjeve, statistika më e mirë në historinë e NBA-së në një seri prej dhjetë takimesh.
Te Cleveland Cavaliers, më i dalluari ishte Donovan Mitchell me 23 pikë, ndërsa James Harden shtoi 21.
Fituesi u përcaktua përfundimisht në minutat e para të çerekut të fundit, kur Landry Shamet realizoi tri gjuajtje të shpejta për tre pikë dhe i dha Knicks një epërsi të paarritshme.





