REL: ShBA-ja i jep dritën e gjelbër armatimit për Kosovën me vlerë prej 14 milionë dollarësh

Departamenti amerikan i Shtetit e ka njoftuar Kongresin amerikan për një leje të propozuar për eksportimin e artikujve të mbrojtjes, të dhënave teknike dhe shërbimeve të mbrojtjes drejt Kosovës, në vlerë prej 14 milionë dollarësh apo më shumë, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë disa burime brenda Kongresit.

Njoftimi është dërguar nga Byroja për Çështje Legjislative e Departamentit amerikan të Shtetit, në përputhje me nenin 36(c) të Ligjit për Kontrollin e Eksportit të Armëve.

I njëjti i është përcjellë Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit.

Neni 36(c) kërkon që administrata amerikane ta njoftojë Kongresin për disa shitje apo leje të propozuara të artikujve dhe shërbimeve të mbrojtjes për shtete të huaja.

Në dokumentin e Kongresit nuk jepen hollësi publike për llojin e pajisjeve apo shërbimeve që përfshihen në këtë leje.

Kosova edhe në të kaluarën ka blerë pajisje ushtarake nga Uashingtoni.

Në shkurtin e vitit 2025, Kosova pranoi dronë të blerë nga SHBA-ja. Muaj më vonë, Kosova u furnizua me autoblinda të blera në SHBA.

Në vitin 2024, Kosova bëri kërkesë për blerjen e 200 raketave kundërtanke “Javelin”.

Më 2018, nga SHBA-ja, në Kosovë kishin ardhur automjete ushtarake, të tipit Humvee. Për furnizimin me 51 automjete të këtij tipi, Qeveria e Kosovës në vitin 2018 kishte nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane, AM General.

Dy vjet më vonë, Kosova bleu edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja, ndërkaq më 2021, Qeveria amerikane i dhuroi Kosovës 55 automjete të tipit ASV (Armored Security Vehicle).

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) aktualisht është në proces të shndërrimit në ushtri. Procesi i transformimit të FSK-së në forca të armatosura nisi më 2018, pas miratimit të ndryshimeve ligjore. Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet.

Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur nga fillimi transformimin e FSK-së në ushtri, por jo edhe Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), e cila insiston që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj fillestare, si: reagimi ndaj krizave apo mbrojtja civile./REL

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA