Filmi me metrazh të gjatë “DUA”, me skenar dhe regji nga Blerta Basholli, sot shënon premierën botërore në Festivalin e Cannes, në kuadër të programit prestigjioz Semaine de la Critique.
“DUA” është përzgjedhur mes vetëm shtatë filmave të gjatë të këtij edicioni, duke u bërë gjithashtu filmi i parë nga Kosova që merr pjesë në këtë seksion konkurrues, ku garon për katër çmime kryesore.
I vendosur në Kosovën e viteve ’90 dhe i frymëzuar nga përvoja personale e regjisores, filmi sjell historinë e një adoleshenteje introverte në kërkim të identitetit në një periudhë të trazuar politike. Në rolin kryesor luan Piena Matoshi, ndërsa producentë të projektit janë Valon Bajgora dhe Yll Uka (Ikonë Studio, Kosovë).
Si bashkëproducentë në film marrin pjesë Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin (Alva Film, Zvicër) si dhe Amaury Ovise (Kazak Productions, Francë), ndërsa projekti mbështetet nga institucione dhe fonde të ndryshme si CNC, Office Fédéral de la Culture, ARTE Cinema, Eurimages, SRF, Cineforom dhe Qendra Kinematografike e Kosovës.





