Cilësimi si tigër prej letre që Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, i bëri Bashkimit Evropian, kur tha se nuk janë të aftë të garantojnë paqe e siguri në rajon, mori vëmendjen e të gjithëve.
Por para këtij deklarimi në forumin e Dubrovnikut, Ministrja Gërvalla dha disa shifra që aludojnë se 84 për qind e qytetarëve janë kundër kompromiseve në dialog me Serbinë.
“Pse në 2021, 50 për qind e qytetarëve than mos bëni kompromis në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, ndërsa në mars të këtij viti 84 për qind ishin kundër që të ketë kompromis në dialog. Kjo është një fatkeqësi për çdo ndërmjetësim që të prodhoj një dinamik të tille dhe sigurisht që ka alternativa që po themi se duhet strategji të reja”, tha Gërvalla.
Këto statistika Ministrja Gërvalla me shumë gjasë i përmendi referuar një sondazhi të bërë nga Instituti Republikan Ndërkombëtar, në periudhën shkurt – mars të këtij viti.
Por i njëjti sondazh, thotë se mbi 90 për qind e qytetarëve i besojnë Amerikës dhe Shqipërisë si partnerë kryesorë në politikë, ndonëse krerët e Qeverisë aktuale, ka kohë që nuk kanë takuar zyrtarë të lartë amerikan dhe kanë refuzuar takimet me Kryeministrin e Shqipërisë.
Sipas analistëve, diplomacia kosovare po vepron në bazë të sondazheve, pa vlerësuar si duhet peshën e veprimeve.
“Kjo tregon që me këtë politik popullsite dhe të udhëhequr nga sondazhet, në vazhdimësi qeveria Kurti dhe politika e jashtme kanë demonstruar se mund t’i sjellin Kosovës vetëm armiq dhe jo miq, dhe natyrisht kjo politikë e cila është udhëhequr vazhdimisht nga qeveria e Kosovës e dëmton skajshmërish pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha analisti politik, Arbnor Sadiku.
Sipas Sadikut, Kosova nuk është në pozicion që të veproj kësisoj pasi i nevojitet ndihma e ndërkombëtarëve.
“Udhëheqja e politikës së jashtme me popullizma të tillë dhe me një politikë e cila dihet që më shumë udhëhiqet nga shtetet e forta që kanë ekonomi, diplomaci dhe ushtri të fortë kurse politika liberale udhëhiqet nga shtetet që kanë si Kosova një politikë e cila afekton të ardhmen e saj evropiane dhe bazohet më tepër mbi vlerat e saj demokratike se sa mbi pozitën e saj me forcave të brendshme në raport me politikën e jashtme dhe arenën ndërkombëtare”, tha Sadiku.
Në sondazhin e lartcekur, SHBA-ja vlerësohet si mbështetësi kryesorë, edhe në fushat e tjera përfshirë edhe atë të ekonomisë. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: