Dje rreth orës 18:30, zyrtarët policorë të angazhuar me detyrë sekondare në Parkun Nacional “Sharri”, së bashku me zyrtarët e pyjeve, gjatë patrullimit në terren, kanë hasur në një mjet transportues të druve (xhip i modifikuar), në të cilin ndodheshin tre persona.
Pas ndalimit të mjetit, dy nga personat kanë penguar vazhdimisht zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Lidhur me rastin, njësia e hetimeve të stacionit ka kontaktuar prokurorin e shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit penal për dy personat e dyshuar I.D dhe F.D për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.”
Ndërsa për shoferin e mjetit, i cili kishte tentuar t’i shmangej policisë, është urdhëruar inicimi i një shënimi zyrtar, i cili do të hetohet nga hetimet e stacionit në bashkëpunim me zyrtarët e Parkut Nacional “Sharri”, me qëllim identifikimin e vendndodhjes së prerjes së druve.
Po ashtu, ndaj tij është shqiptuar gjobë për moszbatim të urdhrave të zyrtarit policor.
Personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt.





