Mohamed Salah, i cili pritet të largohet nga Liverpool FC këtë verë, do ta shfrytëzojë Botërorin e kësaj vere për të vendosur se ku do ta vazhdojë karrierën e tij në nivel klubesh.
Salah e njoftoi largimin nga “Anfield” në mars, duke i dhënë fund një periudhe nëntëvjeçare në Merseyside, gjatë së cilës fitoi pothuajse çdo trofe të mundshëm me klubin. Egjiptiani pati një rol kyç sezonin e kaluar, duke ndihmuar Liverpoolin të fitojë titullin e Premier League.
Edhe pse kishte negociuar një vazhdim kontrate në vitin 2025, e cila pritej të zgjaste edhe dy vite, ai arriti një marrëveshje për ndërprerje me konsensus me klubin, duke u bërë lojtar i lirë këtë verë.
Në garë për firmën e tij është përmendur edhe Fenerbahçe, që thuhet se i ka ofruar një pagë vjetore prej rreth 20 milionë eurosh.
Megjithatë, sipas raportimeve, Salah po shqyrton seriozisht edhe një transferim në Major League Soccer (MLS) në Shtetet e Bashkuara. Liga amerikane është e interesuar ta afrojë yllin egjiptian, ndërsa klubi nga San Diego po përmendet si një nga destinacionet më të mundshme.
Vendimi përfundimtar i Salah pritet të merret gjatë ose pas Botërorit të kësaj vere, ku ai synon të përqendrohet fillimisht te paraqitjet me kombëtaren e tij.





