5.3 C
Pristina
Thursday, April 30, 2026

Dështon seanca gjyqësore për vrasjen në Zllakuqan

Për shkak të mungesës së dëshmitarit Dalip Krasniqi, ka dështuar të mbahet seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Skender Krasniqi akuzohet për vrasjen e F.Z.

Krasniqi akuzohet për vrasjen e F.Z., në gusht të 2024-ës në Zllakuqan të Lipjanit pas mosmarrëveshjes së fëmijëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, Gent Beka, tha se Gjykata ka lëshuar urdhëresë në Stacionin Policor në Lipjan, për sigurimin e pranisë në seancë gjyqësore për dëshmitarin Dalip Krasniqi, mirëpo deri më tani nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar nga Stacioni Policor lidhur me arsyet e moszbatimit të kësaj urdhërese.

Kurse, i dëmtuari Veton Zani deklaroi se sipas tij dhe informacioneve që ka, dëshmitari Krasniqi nuk ka mundur të paraqitet sepse është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Prezent në sallën e gjykimit ishin prokurori Menduhi Kastrati, përfaqësuesi i palës së dëmtuar- avokati Mahmut Halimi, të dëmtuarit Mejreme Zani dhe Veton Zani, si dhe mbrojtësi i të akuzuarit Skender Krasniqi, avokati Ilir Rama.

Në mungesë të kushteve ligjore për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor, seanca e sotme dështoi, kurse të radhës për këtë rast u caktuan për në javët në vazhdim.

Në seancën fillestare më 15 korrik 2025, i akuzuari është deklaruar i pafajshëm.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 30 qershor 2025, i akuzuari Skender Krasniqi akuzohet se më 7 gusht 2024, në fshatin Zllakuqan të Lipjanit, për shkak të mosmarrëveshjes paraprake që kishte ndodhë në të njëjtën ditë në mes djalit të tij- të miturit T.K., me të miturin A.Z., djalin e tani i dëshmitarit B.Z., ky i fundit nip i tani të ndjerit F.Z., në lidhje me komunikimet e tyre në rrjetin social Tik Tok, ku i mituri T.K përmes thikës i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore të miturit A.Z., derisa tani i ndjeri F.Z ishte kthyer nga puna, posa kupton se çfarë kishte ndodhur, niset drejt shtëpisë së të pandehurit Skender Krasniqi bashkë me dëshmitarin I.Z., për të kuptuar dhe sqaruar se çfarë kishte ndodhë.

Aktakuza thotë se dëshmitari I.Z., kishte biseduar me dëshmitaren N.K., e cila i kishte thënë të largohet se nuk e di çfarë kishte ndodhur, e më pas nga shtëpia del tani i akuzuari në drejtim të portës së oborrit ku ishin tani i ndjeri F.Z., dhe dëshmitarët I.Z., dhe F.K. E më pas ishte afruar edhe dëshmitari B.K.

Në aktakuzë thuhet se pasi përfundojnë bisedën, tani i ndjeri F.Z., dhe dëshmitari I.Z., nisen nga porta e shtëpisë së Krasniqit për në rrugën e fshatit dhe vërejnë të miturin T.K., duke dalë nga pjesa e sipërme e oborrit, e që F.Z dhe I.Z., të mllefosur nisen në drejtim të të miturit T.K. dhe hyjnë në oborrin e të pandehurit, ku kishte filluar fjalosje e përcjellë me bërtima, e ku i mituri T.K., në dorë mban një thikë, për të cilën i ishte kërkuar ta lëshonte nga dora.

Sipas aktakuzës, në një moment ndërhyjnë dëshmitarët N.K., dhe B.K., e që palët kishin filluar të ndahen, I.Z., u nis në drejtim të rrugës e pas tij edhe tani i ndjeri F.Z. Por, aty thuhet se i pandehuri Skender Krasniqi merr thikën nga i mituri T.K, dhe me dashje për ta privuar nga jeta tani të ndjerin F.Z., e godet dy herë radhazi, e që për pasojë i shkakton lëndime vdekjeprurëse, e që rreth orës 13:02 minuta dërgohet pa shenja jete në QMF në fshatin Magurë të Komunës së Lipjanit, ku konstatohet vdekja e tij.

Më këtë, i akuzuari Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas pikës dy të kësaj aktakuze, i akuzuari Skender Krasniqi akuzohet se ka mbajtur në posedim të paautorizuar në shkelje me ligjin e zbatueshëm për armët, një thikë të cilën e ka përdorur për t’i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse tani të ndjerit F.Z., dhe tri thika të tjera, të cilat i janë gjetur gjatë kontrollit të shtëpisë dhe oborrit të të pandehurit dhe i janë sekuestruar.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366. paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA