RedBull këtë edicion të Formula 1 vazhdon të mos ketë kundërshtar, duke dominuar edhe garën e fundit në fundjavën që lamë pas në pistën e Austrisë, aty ku Max Verstappen përveç garës, fitoi edhe garën e dytë Sprint të sezonit.
Rivalët e skuderisë austriake si Ferrari e Mercedes vazhdojnë të kenë probleme, dhe konkurrenca me Red Bull duket thuajse mision i pamundur.
Këtë edicion Red Bull është duke tentuar të thyej rekordin e vendosur nga McLaren, në vitin e largët 1988, ku skuaderia britanike ia doli të koleksiononte 11 fitore radhazi.
Në një intervistë për ‘’Sky Sports’’, Drejtori Red Bull Christian Horner u shpreh se skuadra e tij mund të thyej këtë rekord.
“E pranoj se i kemi mundësitë për të fituar të gjitha garat në këtë sezon. Por, ne mendojmë garë pas gare, i marrim me radhë ato. A do t’ia dalim? Ndoshta’’, tha ndër të tjera Horner.
Kujtojmë se gara e ardhshme e Formula 1, do të zhvillohen në shtegun e Silverstone në Britaninë e Madhe, ku Red Bull fitoren e fundit në këtë pistë e ka arritur, në vitin 2012.