Asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, do t’iu drejtohen organeve të drejtësisë, për, siç kanë thënë ata, gjetjet e raportit të auditimit. Sipas tyre, në bazë të raportit, Komuna e Prishtinës mund të përballet me vepra penale.
“Sipas standardeve të auditimit, opinioni i kualifikuar jepet në rastet kur janë zbuluar keqdeklarime ose mospajtueshmëri, kur e tejkalojnë nivelin e materialitetit për pasqyrat financiare. Baza për opinion të kualifikuar ka rrjedhur: si rezultat i planifikimeve buxhetore të gabuara, ku komuna ka paguar 2 milionë e 453 mijë e 137 euro nga investimet kapitale, shpenzime që për nga natyra u takojnë mallrave dhe shërbimeve”, ka thënë asambleistja e LV-së, Violeta Salihu.
“Duke i bërë thirrje kryetarit Rama për reflektim në shërbim të drejtë të qytetarëve, po i njoftojmë qytetarët se disa nga këto gjetje do t’i adresojmë te organet e drejtësisë, sepse ka indikacione të veprave penale”, tha asambleisti e LV-së, Ermal Osman.
Po ashtu, asamblisti Ermal Osmani thotë se te gjetjet e raportit, por edhe rekomandimet flitet edhe për keqklasifikim në kategoritë ekonomike.
“Po fillojë me mashtrimin e parë që ka tentuar të bëhet, duke keqklasifikuar në kategoritë ekonomike, ku nga buxheti për investime kapitale janë paguar 2 milionë e 453 mijë e 137 euro shpenzime, që për nga natyra nuk i takojnë investimeve kapitale. Prezantim i pasaktë i llogarive të arkëtueshme me taksat e infrastrukturës, ku kemi shumë të mbivlerësuar për 98 mijë e 78 euro dhe të arkëtueshme nga lejet e ndërtimit ishin të nënvlerësuara për 250 mijë e 309 euro”, tha Osmani.
Sipas asamblistëve, janë evidentuar shkelje edhe në ngritjet në detyrë, me ç’rast është theksuar se të gjitha këto kanë ndodhur pa u zhvilluar proces konkurrues. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: