Turneu ballkanik, në kuadër të përgatitjeve të Procesit të Berlinit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do ta sjellë edhe në Kosovë.
Pa dhënë detaje rreth agjendës, qeveria shqiptare, për ATV-në, tha se Rama të enjten dhe të premten do të qëndrojë në Prishtinë.
Por, gjasat që të takohet me kryeministrin Albin Kurti, janë të vogla. Kryeministri kosovar nuk e sheh të arsyeshme një takim bilateral pa u mbajtur mbledhja e dy qeverive, e cila ishte planifikuar të mbahej më 14 qershor në Gjakovë, por u anulua nga kryeministri Edi Rama.
“Nuk lëngon raporti Kosovës-Shqipëri, por edhe demokracia, paqja e siguria në Ballkan pse nuk takohet kryeministri i Kosovës me atë të Shqipërisë, por për shkak se mbledhjet e të dy qeverive tona janë anuluar paarsyeshëm. Unë e konsideroj të nevojshme mbledhjen e dy qeverive, por jo takime të tjera”, tha Kurti.
Këtë qëndrim të kryeministrit kosovar, homologu shqiptar nuk e komentoi gjatë ditës, veçse tha se do të flasë më gjerësisht në Prishtinë.
“Jam këtu vetëm për këtë vendim. Sa i përket vajtjes nesër në Prishtinë dhe turit, do të flas kur është koha për të folur që është nesër në Prishtinë”, tha Rama.
Derisa nuk është e qartë se me kë do të takohet gjatë qëndrimit në Prishtinë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se kryeministri Edi Rama është i mirëseardhur gjithmonë.
Kurse, pas Kosovës, Rama viziton Maqedoninë e Veriut, Bosnjën, Malin e Zi dhe Serbinë.
Teksa deklaroi se “Ballkani i Hapur” përfundoi misionin, kreu i qeverisë shqiptare tha se gjatë këtij turi do të informojë krerët e shteteve ballkanike për përgatitjet që po bën Shqipëria, për të pritur samitin e Procesit të Berlinit që mbahet në Tiranë në tetor të këtij viti. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: