Poetja dhe opinionistja, Helena Halilaj, në emisionin “LIBERO” ka ndarë një reflektim mbi rolin e gruas në shoqërinë shqiptare dhe pritshmëritë që vendosen ndaj saj. Në studio u diskutua nëse një burrë është domosdoshmëri për realizimin e jetës së një gruaje, duke sfiduar kështu një mendësi të përhapur.
Sipas saj, shpesh një gruaje i thuhet se për të arritur suksesin dhe përmbushjen personale, duhet patjetër të ketë në krah një burrë – qoftë vëlla, partner apo baba. Por Halilaj sjell një këndvështrim ndryshe, duke theksuar se një grua mund të bëhet vetë mbështetja dhe forca e saj.
“Një gruaje i thonë: ‘Që të realizohesh në jetën tënde, të duhet me patjetër një vëlla, një partner ose babai’. Dhe kur e pyesin si ia doli, ajo përgjigjet: ‘Unë u bëra burrë i vetes sime’,” shprehet Halilaj.
Ajo shton se në mungesë të këtyre figurave, që shpesh shihen si udhërrëfyes apo mbështetje, gruaja mund të zgjedhë të ndërtojë vetë rrugën e saj drejt suksesit. Në një shoqëri ku ende mbizotëron ideja se një burrë është i domosdoshëm, Halilaj nënvizon se një grua mund të arrijë çdo gjë edhe duke u mbështetur vetëm te vetja.
Në fund, ajo prek edhe pasigurinë që karakterizon marrëdhëniet moderne, duke theksuar se dashuria dhe martesa nuk janë më garanci për lumturi.
“…Nuk kemi më të sigurta as dashuri, as martesa. Nuk mund të shpresojmë gjithmonë se njerëzit më të mirë do të vijnë në jetën tonë; mund të vijnë edhe njerëz që nuk na e bëjnë jetën të bukur dhe të mirë…” – përfundoi ajo.
Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Helena Halilaj, klikoni në linkun e mëposhtëm:






