Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se gjendja shëndetësore e vogëlushit pesëvjeçar është stabile dhe në përmirësim, pas ndërhyrjes kirurgjike që iu bë për shkak të plagëve të rënda, ndërsa sfidë mbetet trajtimi i traumës psikosociale dhe sigurimi i një ambienti të shëndoshë për të, raporton Ekonomia Online.
Ai ka bërë të ditur se i gjithë sistemi shëndetësor është alarmuar menjëherë pas rastit dhe se profesionistët në Klinikën e Pediatrisë kanë dhënë maksimumin për trajtimin e fëmijës.
“I gjithë sistemi shëndetësor, sidomos profesionistët shëndetësorë në klinikën e pediatrisë janë alarmuar dhe kanë bërë maksimumin e tyre për çka i falënderoj nga zemra. Kam shkuar për së afërmi, e kam takuar edhe vogëlushin pesëvjeçar, edhe kolegët tanë, edhe punëtorët në klinikën e pediatrisë në repartin e intensivës, të cilët edhe mjekët specialistë, po edhe stafi i mesëm kanë bërë një punë të jashtëzakonshme”, tha ai.
Ai theksoi se fëmija ka qenë në gjendje të rënduar fizike dhe i traumatizuar rëndë në aspektin psikologjik.
“Sepse nga ajo që kam parë unë, fëmiu ka qenë në gjendje të vështirë edhe në gjendje të rënduar, jo vetëm fizike me plagët edhe me pjesën shëndetësore që e ka pasur, mirëpo jashtëzakonisht i traumatizuar dhe pothuajse me shumë pak komunikim, pavarësisht moshës pesëvjeçare. Gjendja e tij edhe ditën e vizitës ka qenë stabile. Drejtoria e SHSKUK-së, po edhe drejtoresha në klinikën e pediatrisë më kanë informuar në kohë reale vazhdimisht për gjendjen e vogëlushit dhe pas marrjes, qetësimit njëherë, i është ofruar përveç mbështetjes shëndetësore edhe gjithë mbështetja psikosociale: psikologë, psikiatër, por edhe ortopedë e lami të tjera të cilat janë lidhur me pjesën shëndetësore, një grup i specialistëve”, tha ai.
Sipas tij, fëmija i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjike për shkak të gjendjes së rënduar në njërën shputë, në bashkëpunim mes kirurgëve ortopedë dhe atyre plastikë.
“Dhe dje i është nënshtruar një ndërhyrje ku për shkak të gjendjes së rënduar, sidomos në njërën shputë, është bërë një intervenim në mes kirurgëve ortopedë dhe atyre plastikë. Ka dalë nga salla, fillimisht i intubuar, po pastaj është qetësuar shumë shpejt sepse secili pacient që del nga salla është një procedurë standarde operimi. Sot është gjendja stabile, ka filluar pak edhe komunikimi verbal. Gjendja është më mirë. Ka pasur një anemi të lehtë për çka të gjitha masat janë marrë që të evitohet përmes edhe transfuzionit të gjakut por edhe barnave të tjera”, tha ai.
Vitia tha se në aspektin shëndetësor, parametrat janë stabilizuar dhe pritet rikuperim i shpejtë, ndërsa vëmendja tashmë është përqendruar edhe në aspektin psikosocial të rastit.
“Me fjalë të tjera, gjendja në aspektin shëndetësor, po flas në kuptimin e mbarëvajtjes së punës sa i përket pjesës shëndetësore, është mirë dhe ka shkuar mirë dhe po e merr veten shumë shpejt. Mirëpo ajo që e përmendi edhe ministri Hoti, ajo që na ka shqetësuar të gjithë, është edhe kjo pjesa psikosociale e fëmiut, i cili shihet që fatkeqësisht ka qenë për shumë kohë në një ambient toksik, mos të them komplet abuziv, për të cilin menjëherë pas marrjes së lajmit kemi komunikuar bashkë me ministrin Hoti, por jo vetëm, edhe kemi ndërmarrë të gjitha masat që mund të ndërmerren që të futet në veprim edhe kjo pjesa psikosociale dhe çka pas për fëmiun”, tha ai.
Ai shtoi se institucionet janë duke punuar për t’i siguruar vogëlushit një ambient të shëndoshë për të ardhmen.
“Sepse prapë po e përsërit, në aspektin shëndetësor, besoj që pas intervenimit edhe pas qetësimit të parametrave, të gjithë parametrat i ka në rregull, kjo do ta marrë veten shumë shpejt. Po sfida edhe ajo që po merremi tash bashkë me ministrin Hoti dhe me anëtarë të tjerë të qeverisë, është që t’i sigurojmë një ambient të shëndoshë për vogëlushin”, tha ai.






