Një ditë para festës së Shën Vidit apo Vidovdanit, Serbët e Kosovës u mblodhën në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë, ku edhe nxorën një dokument të quajtur deklarata e Vidovdanit.
Deklarata e cila përmbante pesë pika, fokus kishte gjendjen e serbëve pas situatës së fundit në veri dhe vendimet potenciale që do të mund të merren ditëve në vazhdim, karshi asaj që do të ngjajë për ta.
Teksa shprehnin mllefin ndaj institucioneve të Kosovës për siç e quajtën ata, dhunën ndaj serbëve, nuk u la pa u përmendur edhe Asociacioni, që megjithatë do jetë temë ekstra nesër në kremten e ‘Vidovdanit’.
“Ka ardhur koha që të zbardhet e vërteta dhe të thuhet qartë në këtë Vidovdan: a do të kemi Asociacion? Ndryshe, e dimë çfarë të bëjmë”, tha ish-kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisa Miloviç.
Duke folur për ngjarët në veri të vendit, teksa institucionet e Kosovës i etiketonin si fashiste, ata kërkuan ndihmë nga ndërkombëtarët, në të kundërtën, siç thanë, do të marrin vetë masa.
“Për më shumë se dy dekada, e sidomos muajt e fundit, ne serbët nga Kosova dhe Metohia, nga Shtërpca deri në Leposaviq, jemi përballur me dhunë të paparë, e cila, si për motivin ashtu edhe për mënyrën e kryerjes së saj, nuk mund të quhet ndryshe veçse fashiste. I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë hapa të vendosur për të qetësuar tensionet, sepse ne nuk mund ta tolerojmë më këtë mizori”, tha Miloviç.
E njëjta deklaratë u shpalos edhe para qytetarëve në Graçanicë, me ç’rast u tha se rezistenca e tyre do të vazhdojë përderisa ka presion nga autoritetet e Kosovës.
“Në prag të Vidovdanit, kur çdo gjë është e dukshme dhe kur çdo fjalë e dhënë bëhet premtim, ne serbët themi se nëse mizoria ndaj popullit tonë vazhdon, do të detyrohemi t’u përgjigjemi të gjithë atyre, të cilët na dëshirojnë të keqen, që ëndërrojnë luftën në vend të paqes dhe ne do të jemi të bashkuar në luftën tonë të drejtë, për të qëndruar e mbijetuar në këto zona dhe për të mbrojtur shtëpitë dhe familjet tona”, tha kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiç.
Përveç deklaratës për Vidovdanin, si në Mitrovicë të Veriut, ashtu edhe në Graçanicë, pati edhe fjalime të tjera, që kundërshtonin arrestimin e qytetarëve serbë, teksa u dha përkrahje edhe për liderin e tyre nga shteti amë, Aleksandër Vuqiq.
Ndryshe, përgatitjet veçse janë bërë brenda Manastirit, ku nesër, do të mbahet ceremonia e Vidovdanit. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: