Pikërisht në këtë skaj të oborrit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, mbrëmë u hodh një granatë dore. Objekti, që ishte cak i sulmit, nuk u dëmtua, veturat e policisë po.
Sipas policisë, rasti është iniciuar si “kryerje e veprës terroriste”.
Si i tillë është dënuar edhe nga kryetari Erden Atiq dhe Ministria e Punëve të Brendshme.
“Sulmet e vazhdueshme terroriste ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, duhet të përballen me reagim të ashpër nga të gjithë. Këto janë tentativa të njëpasnjëshme nga ana e Serbisë, për të eskaluar situatën në veri të vendit”, thuhet në reagimin e MPB-së.
Të shtunën, ministri i Brendshëm deklaroi se dy organizatat që veprojnë në Veri, Brigadën e Veriut dhe Mbrojtjen Civile, do t’i shpallin organizata terroriste.
Por, çka në fakt është terrorizmi, dhe kur një organizatë mund të shpallet si e tillë?
“Veprat penale të terrorizmit janë të caktuara mirë në Kodin Penal. Quhen të tilla kur janë kundër rendit juridik kushtetues. Rasti i fundit, meqenëse ka qëllim të frikësimit dhe politik, mund të quhet vepër terroriste”, Fatmir Qollakaj, profesor i lëndëve të sigurisë.
Megjithatë, para se të shpallen organizata terroriste, njohës të fushës së drejtësisë, konsiderojnë se duhet të ndërmerren disa hapa.
“Duhet të bëhet e qartë që shpallja terroriste e këtyre dy organizatave, duhet të bëhet në bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë. Kur shpallet terroriste, çdo pjesëmarrës ndiqet sipas ligjeve në fuqi”, tha Lavdim Makshana nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Përveç sulmeve të vazhdueshme me shok-bomba drejt stacioneve policore dhe patrullave të policisë në katër komunat veriore, të premten në Zveçan, u gjet dhe u konfiskua sasi e konsiderueshme e armatimit. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: