Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Shala, ka deklaruar se për të politika ka rezultuar më e vështirë sesa përvoja e luftës, duke theksuar presionet dhe sfidat që, sipas saj, e shoqërojnë jetën politike.
Në një intervistë në emisionin “LIBERO”, Shala, e cila ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u pyet se cila nga dy përvojat i është dukur më e komplikuar: lufta apo politika. Ajo u përgjigj se politika është më sfiduese.
“…Unë konsideroj që në jetën time viti 2017 ka qenë më i vështiri, për shkak të presioneve të mëdha që i kam përjetuar për shkak të qëndrimeve politike. Lufta më është dukur tepër e thjeshtë në krahasim me politikën…”, tha ajo.
Sipas saj, politika është një fushë që njëkohësisht mund të jetë edhe motivuese, edhe e vështirë.
“…Politika aq sa është e bukur, më përmbush dhe kam qëllime, por në të njëjtën kohë është një ambient i ndyrë, ku nuk e di rreth kujt mund të gjendesh…”, u shpreh Shala.
Ajo u pyet gjithashtu nëse është e vështirë për një ish-luftëtare që t’i ruajë idealet e luftës dhe imazhin për lirinë kur hyn në politikë.
Shala tha se kjo është sfiduese, por jo e pamundur.
“…Është e vështirë, por nuk është e pamundur. Deri tani asnjëherë nuk më ka ndodhur të lëkundem nga ajo që unë besoj, nga bindjet e mia, pavarësisht çfarë sulmesh mund të kem…”, deklaroi deputetja.
Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Mimoza Shalës, klikoni në linkun e mëposhtëm:






