Kurti e njofton sekretarin e Jashtëm britanik për propozimin e tij: Kështu shtensionohet situata

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u prit sot në takim nga Sekretari për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly.

Falënderues për mikpritjen dhe bashkëpunimin e sekretarit Cleverly, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës dhe popullit të saj në të gjitha etapat e shtetformimit, shtetndërtimit dhe zhvillimit.

Në takim u fol për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, si dhe për mundësitë dhe fushat në të cilat ato mund të forcohen e thellohen, njoftoi Zyra e Kryeministrit.

Zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës dhe situata në katër komunat në veri të vendit ishin po ashtu temë e këtij takimi.

Kryeministri Kurti e njoftoi sekretarin Cleverly me propozimin e tij për shtensionimin e situatës, duke theksuar se sundimi i ligjit është parimi bazë për adresimin e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve gjatë ditëve të tensionuara në ato komuna dhe që mundëson mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në po ato komuna, e të cilat duhet të jenë gjithëpërfshirëse, të lira e demokratike dhe me fushatë të hapur dhe fer.

“Kryeministri Kurti po zhvillon një vizitë pune dyditore në Britani të Madhe. Ky ishte takimi i dytë i tij me sekretarin Cleverly. Takimi i parë ishte mbajtur në tetor të vitit të kaluar, po ashtu në Mbretëri të Bashkuar”, tha ZKM-ja.

Po ashtu, Kurti u takua me kryetaren e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns.

Me deputeten Kearns, kryeministri Kurti diskutoi për qeverisjen, progresin në vend dhe marrëdhëniet dypalëshe.

“Vëmendje të veçantë iu dha zhvillimeve të fundit në katër komunat veriore në Kosovë dhe sulmeve të organizuara nga grupe kriminale atje ndaj Policisë, KFOR-it dhe gazetarëve, si dhe përfshirjen aktive të Serbisë në tensionimin e situatës deri te rrëmbimi i tre policëve të Kosovës brenda territorit të Republikës, për të cilët Serbia duhet të mbahet përgjegjëse ndonëse ata u liruan sot gjatë ditës”.

“Ai e falënderoi deputeten Kearns për mbështetjen ndaj Kosovës dhe qëndrimet e zëshme për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe demokracisë në të gjithë Evropën”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA