Kosova është konfirmuar si organizatore e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, duke shënuar një nga arritjet më të mëdha ndërkombëtare. Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, në një rrëfim ekskluziv në emisionin “LIBERO” e cilësoi këtë si një mundësi të jashtëzakonshme për imazhin dhe zhvillimin e vendit.
“…Është një imazh shumë i mirë i shtetit tonë. Kosova ka nevojë për një impakt të mirë. Përmes sportit ne mund të tregojmë se Kosova di të organizojë dhe jo vetëm të marrë pjesë në gara. Lojërat Mesdhetare në Kosovë duhet të bëhen në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne jemi të përkushtuar që ta bëjmë sa më mirë që mundemi – që të jemi shembull për të tjerët. Unë besoj se mund t’ia dalim sepse Kosova di të organizojë…”, theksoi Krasniqi.
Sipas tij, organizimi i këtij eventi madhor sportiv nuk është vetëm çështje prestigji, por një projekt strategjik me ndikim afatgjatë për vendin. Ai përmendi se një ndër arsyet kryesore pse Kosova ka punuar për ta fituar të drejtën e organizimit është dimensioni zhvillimor dhe investimet kapitale që do të mbeten trashëgimi për dekada.
“…Arsyeja pse jemi munduar dhe i kemi marrë këto lojëra në Kosovë, është pikërisht për investime kapitale që mbesin trashëgimi e sportistëve të rinj, e gjeneratave të reja ndoshta 30–50 vitet e ardhshme. Me ndërtimin e palestrave që janë të parapara për Lojërat Mesdhetare do të jetë një investim shumë i mirë dhe afatgjatë për rininë tonë…”, potencoi ai.
I pyetur nëse ekziston rreziku që organizimi i një ngjarjeje kaq të madhe të paraqesë sfida të papërballueshme, ai u shpreh optimist: “Jemi në fazë që po punohet mjaft mirë…”!
Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Ismet Krasniqit, klikoni linkun e mëposhtëm:






