Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala është liruar me kusht kanë bërë të ditur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Sipas njoftimit, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Ekaterina Trendafilova, vendosi të modifikojë dënimin e Haxhi Shalës për të mundësuar lirimin e tij me kushtet e përcaktuara në vendimin e saj.
Këto kushte do të vazhdojnë të zbatohen për pjesën e mbetur nga 3 vitet e dënimit të tij, bëhet e ditur në vendim.
“Mes të tjerash, Kryetarja Trendafilova mori parasysh se z. Shala kishte treguar disa shenja rehabilitimi dhe se i kishte dërguar asaj një letër në të cilën shprehte keqardhje ndaj të gjithë atyre që mund të kishin pësuar dëm si pasojë e veprimeve të tij. Ajo mbajti parasysh gjithashtu marrëdhëniet familjare pozitive të z. Shala, mjedisin e qëndrueshëm të jetesës dhe rrjetin e gjerë shoqëror, që tregojnë perspektivë të arsyeshme
rehabilitimi”, thekson njoftimi.
Kryetarja gjykoi se, ndonëse veprat penale për të cilat ai u shpall fajtor janë të rënda, Shala e kishte shkruar letrën me nismën e vet dhe pa ndihmë ligjore, pas një periudhe reflektimi. Ajo konstatoi se letra e tij ishte shenjë e distancimit të sinqertë nga veprat penale për të cilat u shpall fajtor.
Lirimi i Shalës është bërë me kushtet në vijim:
Të garantojë se do të banojë tërë kohën në adresën e shtëpisë të dhënë në Parashtrimet e Shalës; të informojë Administratoren dhe stacionin e policisë të identifikuar nga Administratorja për çdo ndërrim të vendbanimit të përhershëm, në varësi të miratimit nga Kryetarja; të paraqitet çdo javë në stacionin e policisë të identifikuar nga Administratorja; Administratores t’i dorëzohen pasaporta ose dokumente udhëtimi aktuale dhe të ardhshme të z Shala; të qëndrojë në Kosovë dhe të informojë Administratoren në rast se dëshiron të udhëtojë jashtë Kosovës dhe kërkesa për leje për udhëtim të miratohet nga Kryetarja; të mos kontaktojë apo komunikojë me dëshmitarë ose viktima (të mundshme) para Dhomave të Specializuara dhe ZPS-së; të mos japë deklarata publike, drejtpërdrejt ose tërthorazi, lidhur me Dhomat e Specializuara dhe ZPS-në; të kërkojë leje dhe miratim nga Administratorja për intervista ose çfarëdo kontakti tjetër me mediat, sikurse përcaktohet në Udhëzuesin e Punës për të Paraburgosurit, posaçërisht në posaçërisht në lidhje me komunikimet me mediat; të përmbushë vendimet ose urdhrat e Dhomave të Specializuara; dhe të mos bëjë komente negative, të dhunshme, frikësuese, kërcënuese ose shtrënguese ndaj ose rreth dëshmitarëve (të mundshëm) ose personave të tjerë që janë të rrezikuar për shkak të bashkëpunimit të tyre me Dhomat e Specializuara, zyrtarëve të Dhomave të Specializuara ose të ZPS-së.






