5 C
Pristina
Tuesday, February 10, 2026

Lushtaku nxjerr dy urdhëresa për mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e gjelbërimit në Skenderaj

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka bërë të ditur se ka nxjerrë dy urdhëresa të reja me qëllim të mbrojtjes së mjedisit, ruajtjes së hapësirave publike dhe rritjes së gjelbërimit në territorin e kësaj komune.

Sipas tij, urdhëresa e parë ndalon hudhjen e mbeturinave jashtë kontejnerëve dhe vendeve të caktuara, ndërsa shkelësit do të ndëshkohen sipas legjislacionit në fuqi.

“Në funksion të mbrojtjes së mjedisit, ruajtjes së hapësirave publike dhe rritjes së gjelbërimit në territorin e Komunës së Skenderajt, kam nxjerrë dy urdhëresa me rëndësi të veçantë për rendin dhe cilësinë e jetës në komunën tonë,” ka shkruar Lushtaku.

Ai ka sqaruar se çdo veprim i tillë përbën shkelje serioze dhe synimi kryesor është ndalimi i ndotjes dhe krijimit të deponive ilegale.

“Urdhëresa e parë ka të bëjë me ndalimin e hudhjes së mbeturinave jashtë kontejnerëve dhe vendeve të caktuara për mbeturina. Çdo veprim i tillë, nga persona fizikë apo juridikë, përbën shkelje dhe ndëshkohet me gjoba sipas legjislacionit në fuqi. Qëllimi i kësaj mase është të ndalet ndotja e mjedisit, dëmtimi i hapësirave publike dhe krijimi i deponive ilegale që rrezikojnë shëndetin dhe imazhin e komunës.”

Ndërkaq, urdhëresa e dytë obligon subjektet afariste që të kontribuojnë në gjelbërimin e komunës përmes mbjelljes së drunjve dekorativë.

“Urdhëresa e dytë obligon subjektet afariste që zhvillojnë veprimtari brenda territorit të komunës që, krahas zhvillimit të aktiviteteve të tyre, të kontribuojnë edhe në mbjelljen e drunjve dekorativë dhe rritjen e sipërfaqeve të gjelbra, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e ambientit dhe cilësisë së ajrit”, tha ai.

Lushtaku ka theksuar se këto masa nuk kanë vetëm karakter ndëshkues, por synojnë rritjen e përgjegjësisë qytetare dhe bashkëpunimit.

“Këto masa nuk janë vetëm ndëshkuese, por mbi të gjitha janë thirrje për përgjegjësi të përbashkët.”

Ai ka ftuar qytetarët që të jenë bashkëpunëtorë aktivë dhe sinjalizues të rasteve të ndotjes së mjedisit, duke paralajmëruar edhe forma të mundshme mbështetjeje për ata që kontribuojnë në parandalimin e kundërvajtjeve.

“Ftoj qytetarët të jenë bashkëpunëtorë aktivë dhe sinjalizues të rasteve të ndotjes apo dëmtimit të mjedisit. Brenda mundësive ligjore, do të shqyrtohen forma mbështetjeje dhe subvencionimi për ata që kontribuojnë në evidentimin dhe parandalimin e kundërvajtjeve, në shërbim të interesit publik”, shkroi ai.

Ai ka paralajmëruar veprime të tjera konkrete për eliminimin e deponive ilegale në gjithë territorin e komunës.

“Ruajtja e ambientit, pastërtia dhe gjelbërimi nuk janë vetëm obligim institucional, por kulturë qytetare prandaj shumë shpejt do të ndërmarrim veprime të tjera konkrete për eleminimin e deponive ilegale në gjithë territorin e komunës së Skenderajt. Së bashku mund ta bëjmë Skenderajn më të pastër dhe më të gjelbërt për të gjithë!🌿”, shtoi Lushtaku.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA