Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj B.D., L.Z. dhe personit juridik “L.P.” SH.P.K, për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
Kjo dosje lidhet me tenderin për renovimin e objektit të Ministrisë së Bujqësisë në Ulpianë.
Sipas Speciales, R B.D., në cilësinë e personit zyrtar, menaxherit të kontratës “Renovimi i objektit të MBPZHR-së në Prishtinë”, në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, gjatë periudhës nga 19 gushti 2024 deri në fund të atij viti, ka miratuar dhe vërtetuar në kundërshtim me ligjin realizmin e plotë të punimeve dhe pagesave për largimin e inventarit.
Ndërkohë, aktakuza e ngarkon L.Z., si person përgegjës i “L.P.” Sh.P.K., se gjatë ekzekutimit të kontratës ka paraqitur fakte të rreme, duke deklaruar realizim të plotë të punimeve, ndonëse punët ishin kryer vetëm pjesërisht.
Për pasojë, buxhetit të Republikës së Kosovës i është shkaktuar dëm financiar prej 36,000 euro, raporton Klankosova.tv
Prokuroria Speciale, i ka propozuar Gjykatës që ndaj të pandehurve të shqiptohen edhe dënime plotësuese: ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, si dhe ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë apo detyrës.






