Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtatë persona pas humbjes së jetës së 3-vjeçarit, Brian Spahiu pas një ndërhyrje dentare në një klinikë në kryeqytet.
Përfundimi i hetimeve dërgoi në gjyq shtetasit Roland Xhaxho dhe M.G., për veprën penale ‘Vrasje nga pakujdesia’ dhe ‘Mashtrim’ e kryer në bashkëpunim dhe shtetasen Ina Xhaxho për veprën penale ‘Vrasje nga pakujdesia’, ‘Mashtrim’ e kryer në bashkëpunim dhe ‘Ushtrim i aktivitetit të paligjshëm’; shtetasit E.S. dhe E.A. për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’ si dhe shtetasit D.A. dhe V.H. për veprën penale ‘Neglizhenca në trajtimin mjekësor’.
“Më datë 28.09.2023, i mituri B.S., iu nënshtrua një ndërhyrjeje dentare në 14 dhëmbë, tek Klinika “Splendent” drejtuar nga mjekët Roland dhe Ina Xhaxho, raporton euronews.al.
Pas ndërhyrjes i mituri kthehet në shtëpi dhe brenda pak orësh dërgohet në gjendje të rëndë shëndetësore (koma dhe insuficiencë respiratore akute), në Spitalin e Pediatrisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, Tiranë, ku dhe më pas në datën 01.10.2023, ndërroi jetë.
Sipas aktit të riekspertimit mjekoligjor dhe ekspertimit mjekoligjor shtesë, nga ana e grupit ekspertëve italianë, u arrit në konkluzionin se: Shoku septik i rëndë, që solli më pas insufiçencën progresive shumëorganore, është shkaku kryesor i vdekjes të pacientit të mitur B.S. Grupi i ekspertëve arriti në përfundimin se gjatë ndërhyrjes dentare dhe procedurës së anestezisë, nga ana e anestezistit dhe stomatologeve që trajtuan të miturin, u konstatuan shkelje të rënda të protokolleve mjekësore ndërkombëtare dhe praktikave më të mira mjekësore, të cilat kanë një lidhje shkakësore të drejtpërdrejtë me vdekjen e tij.
Këto shkelje kanë konsistuar në:
– moszbatimin, moskryerjen e kontrolleve dhe verifikimeve të nevojshme për identifikimin e saktë të gjendjes klinike para operacionit të pacientit; mosformulimin në mënyrë adekuate të diagnozës para operacionit dhe mostrajtimin e duhur profilaktik para operacionit dhe në vazhdim, i mituri iu nënshtrua një procedure kirurgjikale pa u vizituar në mënyrë adekuate, pa një diagnozë të saktë, pa një indikacion të arsyetuar, pa specifikuar alternativat dhe pa kryer testet e nevojshme dhe të detyrueshme për gjendjen klinike të pacientit;
– ndërhyrje e kryer, e cila ishte më e gjerë se sa lejohej për një fëmijë të moshës 3 vjeç dhe induksioni i anestezisë së përgjithshme për një periudhë prej rreth 5 orë, për të trajtuar njëkohësisht shumë dhëmbë, mes të cilëve disa me infeksion të pulpës me rreziqet që lidhen me anestezinë e përgjithshme dhe kontrollin e vështirë të infeksioneve postoperative, evidenton përgjegjësinë për trajtim të tepërt.
– nxjerrjen plotësisht e papërshtatshme nga spitali i të miturit, duke mos marrë parasysh gjithashtu rreziqet që lidhen me anestezinë dhe patologjitë nga të cilat vuante fëmija, e sidomos arsyet për një kohë të zgjatur zgjimi, pas ndërhyrjes si dhe shenja të tjera klinike”, bën me dije Prokuroria.
Gjithashtu nga hetimi rezultoi e provuar se dy stomatologët Ina Xhaxho dhe M.G. kanë mashtruar prindërit e të miturit duke i marrë pagesën për mbushjen e 14 dhëmbëve, ndërkohë që nga autopsia rezultoi se 6 prej tyre ishin hapur por nuk ishin mbushur.
Ndërkohë, nga hetimi, u provua që stomatologia Ina Xhaxho pas ngjarjes ka vazhduar ushtrimin e aktivitetit të saj në mënyrë të paligjshme, pasi nuk ka rinovuar, në përputhje me procedurat ligjore, licencën si stomatologe nga Urdhri i Stomatologut.
Gjatë hetimeve u konstatuan shkelje të rënda të protokolleve mjekësore në kryerjen e autopsisë dhe ekspertizës mjekoligjore edhe nga ana e ekspertëve të I.M.L.-së, shtetasit E.S dhe E. A.
Gjithashtu, shkelje u konstatuan edhe tek mjekët roje të pediatrisë V.A. dhe D.S. në momentin që i mituri u dërgua në spital. Mjekët nuk zbatuan protokollet mjekësore në drejtim të përcaktimit të diagnozës së duhur, evidentimin e shkaqeve më të zakonshme të shokut tek fëmijët dhe trajtimin e terapisë së përshtatshme me antibiotikë. Si rrjedhojë edhe moskryerja e veprimeve të tyre ka shkaktuar dëmtimin e rëndë të të miturit, edhe pse ai ishte në gjendje të rëndë, fakt që rezultoi nga akti i riekspertimit, pasi vdekja e tij nuk erdhi nga mosveprimet e tyre, por nga shkaku kryesor dhe i drejtpërdrejtë, që ishin veprimet dhe mosveprimet e të pandehurve R.Xh., I.Xh dhe M.G. /euroenews.al/






