Janë përuruar masat e efiçiencës së energjisë në Shkollën e Ekonomisë “Isa Boletini” në Podujevë, ku përveç ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Aty, Kurti u pyet për kërkesën e KESCO-s për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 21.3 për qind, por përgjigjen në vend të tij e dha ministrja Rizvanolli, e cila tha se fillimisht duhet të pritet raporti i ZRRE-së, e më pas të jepen komentet, raporton Ekonomia Online.
“Sa i përket kërkesës dhe vendimit eventual, ose sa i përket çmimit të tarifave të energjisë elektrike, ne do ta shohim raportin konsultativ kur ZRRE ta publikojë. Në këtë fazë nuk mund të themi asgjë. ZRRE i vlerëson këto shpenzime që llogariten dhe që ata i konsiderojnë të arsyeshme, dhe ne, si çdo vit, do t’i analizojmë dhe do t’i japim komentet tona sa i përket kësaj”, tha Rizvanolli.
Po aty, ajo u ndal edhe te importi i rrymës, duke mos e anashkaluar faktin se importi i energjisë elektrike do të ndodhë edhe vitin e ardhshëm, ndërsa theksoi se investimet që po bëhen në KEK janë të tilla që, sipas saj, nuk kanë ndodhur për 40 vjet.
“Së pari duhet theksuar se lajmi që është publikuar ka të bëjë me kërkesën e furnizuesit dhe operatorëve të tjerë. Nuk ka ende një vendim. Ndërsa duhet të kemi parasysh disa zhvillime objektive në sektorin e energjisë që mund të kenë pasoja në këtë aspekt. Siç e kemi theksuar dhe siç jeni të informuar, në KEK vitin e kaluar kanë filluar modernizimi dhe rehabilitimi që nuk janë bërë për 40 vite, që nga fillimi i punës së TC Kosova B dhe 60 vite në TC Kosova A”, tha ajo.
Sipas Rizvanollit, kjo nënkupton një periudhë sfiduese për vitin e kaluar, këtë vit dhe vitin e ardhshëm, pasi blloqet duhet të ndalen për disa muaj në mënyrë që investimet të realizohen.
“Kjo është një sakrificë që duhet ta bëjmë për ne dhe për gjeneratat e ardhshme, fatkeqësisht nuk është bërë më herët. Është investimi më i madh dhe më serioz që po bëhet në KEK. Megjithëse në KEK janë investuar rreth 1 miliard euro, sipas shifrave zyrtare deri në vitin 2020, nuk ka pasur rritje të kapaciteteve, të efiçiencës dhe as rritje të jetëgjatësisë. Investimet që po bëhen tani i përmirësojnë të gjitha këto aspekte”, u shpreh ajo.
Ajo theksoi se po investohet për rritjen e jetëgjatësisë së termocentraleve për 20 vjet, për uljen e ndotjes përmes vendosjes së filtrave për oksidet e azotit dhe pluhurin, si dhe për rritjen e kapacitetit për së paku 35 megavat në secilin bllok të termocentralit Kosova B.
Rizvanolli iu përgjigj edhe kritikave në lidhje me importin e energjisë, duke tentuar të japë arsyetime, ndonëse po vazhdonte të përgjigjej në pyetjen që i ishte drejtuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
“Përveç kësaj, siguria do të rritet ndjeshëm. Rëniet e blloqeve që i kemi ndodhin sepse nuk ka pasur investime për 40 vitet e fundit. Siguria e sistemit elektroenergjetik duhet të rritet dukshëm, duke qenë se termocentralet do të jenë në dispozicion 85 për qind të kohës gjatë vitit dhe nuk do të kemi ndalje të paparashikuara në masën që i kemi pasur deri më tani”, tha ajo.
Sipas saj, kjo ka ndikuar që vitin e kaluar të ketë import më të madh të energjisë elektrike dhe se importi pritet të mbetet i lartë edhe vitin e ardhshëm.
“Por kjo duhet ndarë nga një faktor tjetër që ka të bëjë me mënyrën se si blihet energjia, si transportohet energjia, me procedurat dhe çështje të tjera që ZRRE duhet t’i mbikëqyrë me vigjilencë. Aty ku ka hapësirë për hetime, ato duhet të bëhen dhe duhet të jenë plotësisht transparente. Nëse duam të kemi një diskutim të hapur për politikat energjetike dhe planet për të ardhmen, duhet t’i dallojmë këta faktorë dhe të flasim në mënyrë të sinqertë për këtë”, shtoi Rizvanolli.






