Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, në seancën e kolegjit të mbajtur më 26 janar 2026, ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të paraqitur nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës – KOSTT Sh.A., kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Kërkesa e KOSTT-it ishte parashtruar kundër aktgjykimit të Gjykatës Komerciale të Kosovës – Dhomat e Shkallës së Dytë, të datës 8 nëntor 2024, lidhur me anulimin e aktit administrativ V_1739_2023 të ZRRE-së, të datës 5 maj 2023.
Gjykata Supreme vlerësoi se aktgjykimet e instancave më të ulëta janë marrë në përputhje të plotë me dispozitat ligjore në fuqi, duke theksuar se arsyetimi i Gjykatës Komerciale ka qenë i qartë, i plotë dhe i bazuar në analizë të drejtë të fakteve dhe legjislacionit përkatës.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme konstatoi se ZRRE ka ushtruar kompetencat e saj ligjore dhe rregullative në mënyrë të ligjshme, duke zhvilluar një proces të plotë monitorimi ndaj KOSTT-it, në përputhje me Ligjin për Rregullatorin e Energjisë, Ligjin për Energjinë Elektrike, Rregullat e Tregut, Kodin e Balancit dhe aktet tjera nënligjore.
Sipas gjykatës, nga provat e administruara rezulton se ZRRE ka vepruar brenda përgjegjësive të saj ligjore për të siguruar funksionimin efikas të tregut të energjisë elektrike, përfshirë zhvillimin e hetimeve lidhur me shkeljet e mundshme të kryera nga KOSTT në proceset e blerjes së energjisë elektrike, pagesave dhe nominimeve.
Gjykata Supreme vlerësoi se me rastin e shqiptimit të gjobës ndaj KOSTT-it, në vlerë prej 439,405 euro, janë zbatuar drejtë dispozitat procedurale dhe materiale, andaj kërkesëpadia e paditësit u refuzua në tërësi si e pabazuar.






